Kurti u takua me Ramën në Bruksel, Kryeministri i Kosovës zbardh detajet

Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të shkurtër të vizitës joformale në Bruksel, ku zbulon se ka pasur edhe një takim me Kryeministrin Edi Rama, para darkës tradicionale.
“Gjatë vizitës në Bruksel për darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pata takime me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, z. Josep Borrell, që ishte edhe nikoqir i darkës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Laj?ák, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon.
Kurse me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, para darkës, e për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona”, thotë ai.
Kurti e vlerësoi vizitën e takimet një mundësi të mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe Qeverinë e saj të re përballë sfidave që ka.
“Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalur nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit, për të diskutuar rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritë ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe përtej e pas saj”, u shpreh Kurti.