LAJMI FUNDIT/ Hamasi godet me raketa pranë Ambasadës shqiptare në Tel Aviv

Njëra prej dhjetra raketave që Hamas ka lëshuar nga Rripi i Gazës në drejtim të Tel Avivit ka goditur një zonë të banuar pranë selisë së Ambasadës shqiptare.
Selia diplomatike e Shqipërisë ndodhet në zonën Ramat Gan në veri të Tel Avivit. Nga sulmi me raketa në mbrëmjen e së premtes ka gjetur vdekjen një izraelit, ndërkohë që disa persona të tjerë janë plagosur.
“Sulm me raketë në Ramat Gan pranë Ambasadës shqiptare. Shumë të shqetësuar nga sulmet pa dallim të Hamas mbi Izraelin. Civilët e të dyja palëve duhet të mbrohen dhe kjo situatë duhet të marrë fund sa më parë”, thuhet në reagimin e Ambasadës shqiptare në Izrael.
Në të njëjtën zonë ndodhen edhe selitë e disa ambasadave të tjera ndërkombëtare, mes të cilave edhe ajo austriake, që gjithashtu ka reaguar.
“Sapo shpërtheu një raketë në Ramat Gan, pranë Ambasadës austriake. Fatmirësisht jemi mirë të gjithë. Kjo duhet të marrë fund menjëherë”, thuhet në reagimin e Ambasadës austriake.
Ramat Gan ndodhet në veri të Tel Avivit dhe asnjëherë më parë nuk ka qenë objekt sulmesh me raketa nga Rripi i Gazës për shkak të distancës së madhe gjeografike. Por, sulmet e fundit tregojnë se Hamas ka rritur kapacitetin duke zotëruar tashmë edhe raketa me rreze të mesme veprimi deri në 200 kilometra distancë.
Autoritetet izraelite nga ana tjetër kanë marrë disa masa duke ndaluar lëvizjen e qytetarëve nga veriu i vendit në drejtim të qendrës dhe jugut, pranë kufirit me Gazan, ndërkohë që paralajmëron se mund të mbyllë në çdo moment hapësirën ajrore dhe ndalojë fluturimet për të shmangur viktimat mes civilëve.
Rocket strike in Ramat Gan, close to the Albanian Embassy too, amid heavy barrages on central Israel.
Very concerned by the Indiscriminate attacks by Hamas on Israel. Civilians on all sides must be protected and this explosive situation must de-escalate. https://t.co/30dHqtvwWd— Albania in Israel (@AlEmbassyIsrael) May 15, 2021