Mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit/ Hyseni: Të sillemi si ekspertë! Braho: Kujdes kur flisni për Metën

Një ditë pasi mori miratimin nga Kuvendi, Komisionin Hetimor që do të hetojë shkelje kushtetuese të kryera nga presidenti Ilir Meta, ka zhvilluar sot mbledhjen e parë nën drejtimin e kryetarit Alket Hyseni.
Hyseni e cilësoi mbledhjen e sotme si një moment të rëndësishëm parlamentar, ndërsa u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit që të sillen si ekspertë, pasi prandaj kanë marrë edhe besimin e parlamentit.
“Përtej bindjeve tona politike, misioni ynë janë kushtetuta dhe ligji”, tha Hyseni.
Në unanimitet, Klotilda Bushka u zgjodh kryetare e Komisionit. Për përgatitjen e këtij raporti, komisioni ka 1 muaj afat.
“Që nga ky moment nuk duhet të prononcohemi për mediat, presidenti kështu, apo presidenti ashtu. Duhet të tregojmë kujdes që të shmangim akuzat për prononcime të pamatura”, tha Spartak Braho.
Komisioni pritet që të hartojë një raport për pretendimet e një grupi deputetësh se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me thirrjet për dhunë.
Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Kryetar: Alket Hyseni; Nënkryetar Myslym Murrizi; Sekretar: Klotilda Bushka; Anëtarët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani; Zëvendësues: Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.