Naim Frashëri, ose ideologjia e bashkimit

Prof. Pëllumb Xhufi
Në vitin 1880, Vaso Pashë Shkodrani botonte e shpërndante në Stamboll vargjet-himn të tij, “O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri”. Po atë vit, në Janinë, Naim Frashëri shkruante poemën e tij të parë në gjuhën shqipe, të cilën edhe ai, si Vaso Pasha, ja dedikonte Shqipërisë. Këto dy krijime poetike shënojnë një ndarje të prerë nga tradita e deriatëhershme e letrave shqipe, që përfaqësohej në njërën anë nga letërsia kishtare, dhe në anën tjetër nga ajo e bejtexhinjve, që të dyja të varfra kulturalisht e pa nerv social. Në këtë vështrim, dy poezitë e Vaso Pashës e të Naim Frashërit, përveçse të përkryera për nga forma, shpërfaqin edhe një angazhim social e madje edhe politik, të fortë e pasionant, të autorëve të tyre. Ato shënojnë lindjen e poezisë atdhetare.
Jo rastësisht, inicues të saj ishin pikërisht Vaso Pasha e Naim Frashëri, dy personalitete të Rilindjes Kombëtare, që koha i amëshoi si “apostuj të shqiptarizmës”. Ishin formuar që të dy me letrat e kulturën klasike greko-romake e gjithashtu kishin përjetuar emocionalisht përmbysjen e madhe ideore dhe sociale, që sollën në Evropë idetë e Iluminizmit dhe Revolucioni francez i vitit 1789. U përfshinë në betejën e madhe kombëtare, atë të Lidhjes së Prizrenit, ku u kristalizua për herë të parë në mënyrë programatike ideja e një shteti shqiptar, modern e evropian. Të dy ishin anëtarë të Shoqërisë së Stambollit, ku u hartua programi politik dhe u promovua aksioni kulturor e arsimor i Rilindjes Kombëtare. Të ngjashëm, por edhe të ndryshëm. Vaso Pasha, i cili para se të përfshihej në Lëvizjen Kombëtare kishte vrapuar të merrte pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Venedik, ishte para së gjithash njeri i mendimit dhe i aksionit politik. Naim Frashëri ishte një natyrë më komplekse. U përfshi në Lëvizjen Kombëtare, më së shumti si poet e si krijues dhe si i tillë, krahas temës patriotike, i qaset filozofikisht temave universale të jetës e të vdekjes, të së mirës e të së keqes, të dashurisë e të urrejtjes. Vëzhgues i hollë i botës reale, i njeriut dhe i natyrës, Naimi hera-herës ngjitet me poezinë e tij në qiejt e frymëzimit mistik, të religjionit, të kozmogonisë e teogonisë. Vepra e tij përfaqëson, siç thamë, një shkëputje drastike nga tradita letrare e bejtexhinjve. Siç Prof. R. Qosja konkludon mjeshtërisht, botëkuptimi dhe përjetimet e bejtexhinjve ishin tepër të varfra e të tejkaluara për t’u ngërthyer në botën e gjerë, të pasur e plot kundërshti të një poeti të angazhuar në vijë të parë në Lëvizjen Kombëtare, siç ishte Naim Frashëri: përfytyrimet e bejtexhinjve ishin orientale, folklorike e krahinore, ndërsa ato të Naimit janë qytetare, perëndimore e posaçërisht kombëtare.
***
Në fakt, vjershat e poemat kombëtare zënë pjesën më të madhe të krijimtarisë poetike të Naimit. Në vjersha si Atdheu, Fjalët e qiririt, Shkëndij e diellit ndaj manushaqes, Gjuha jonë, Përse, Shpreh, Korça, Sa jemi shqipëtarë, Tradhëtorët, Gjuha shqip, Fjal e përjetëshme zbulohet një pathos atdhetar i jashtëzakonshëm, që as mund të përfytyrohej tek poezia e bejtexhinjve. Tek poema “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, Naimi kalon në revistë personazhet historikë, nga Pirrua, Aleksandri i Madh e Skënderbeu, tek Mehmet Aliu, Marko Boçari, Bubulina, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Elena Gjika e Francesco Crispi. Shqiptarë të të gjitha kohërave, të të gjitha vendeve e të të gjitha besimeve, të cilët ai i ka përzgjedhur për të nënvizuar bindjen e tij, se përkatësia kombëtare është shumë më e rëndësishme se përkatësia fetare: është e vetmja përkatësi që duhet të pranojnë mendjet e qytetëruara. Sepse, thotë Naimi, ndërgjegjja kombëtare e vërtetë është ndërgjegje mbifetare. I mbrujtur me një kulturë solide, njohës sa i letërsisë klasike greko-romake, aq edhe i gjuhëve dhe letërsive orientale, Naim Frashëri arriti që idetë progresiste të Iluminizmit t’i përcillte nëpërmjet poezisë së tij dhe t’i kthente në ideologji kombëtare.
Mes krijimeve poetike me përmbajtje atdhetare, një vend epror zë padyshim poema epike “Istori e Skënderbeut”, shkruar në 1898. Përpara Naim Frashërit, të tjerë autorë shqiptarë, nga Jeronim de Rada, Zef Jubani, Filip Shiroka, Ndre Mjeda e të tjerë kishin provuar të risillnin në jetë, kush në tekstet shkollore të historisë, kush në sprova letrare, figurën e Gjergj Kastriotit. Por, shkrimet e tyre, edhe kur e panë dritën e botimit, nuk njohën përhapjen e suksesin që njohu vepra e Naim Frashërit. Tek “Istoria e Skënderbeut”, duke e parashtruar rrëfimin historik në formë poetike, Naimi gjeti formën më efikase për të injektuar tek shqiptarët e kohës së tij vetëdijen se ishin bashkatdhetarë të një heroi të madh të historisë së tyre e të historisë evropiane. E kështu, në prag të luftërave për pavarësi e për një shtet shqiptar, ai ndikoi mjaft që Gjergj Kastrioti të kthehej në një katalizator të ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët. Nuk ishte pa domethënie fakti, që 500 vjet pas klerikut të madh katolik, Marin Barletit, në prag të shek. XX, një intelektual e krijues i besimit mysliman u jepte shqiptarëve një histori në vargje të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në Shqipërinë e prapambetur dhe të dasive të mëdha kulturore e fetare, ky nuk mund të konsiderohet një fakt banal e i vetëkuptueshëm.
E këtu, mbërrijmë në problemin e rrënjëve filozofike e botëkuptimore të Naim Frashërit, të ndikimeve që ushtruan tek ai doktrina bektashiane e panteizmit dhe e metempsikozës. Këto shfaqen qartë në sprovat e tij moralo-filozofiko-fetare Mësime (1894) dhe Bektashitë (1896). Naimi kujton humanistët italianë të shek. XIII-XIV, kur si ata, vendos në qendër të universit njeriun. Panteist në bindjet e tij filozofike, Naimi bënte një hap drejt materializmit duke e parë Zotin të shkrirë me natyrën dhe me vetë njeriun: “Te njeriu mishërohet gjithshka ka gjithësia, edhe Zoti i vërtetë”, shkruan ai tek Mësime. “Mendja e njeriut arrin deri në qiej dhe dor’e tij është e zonja për çdo punë”, shkruante ai. Por ky njeri, që është në gjendje të bëjë gjithçka duhej të përsosej, në mënyrë që të prirej nga mirësia, nga dashuria, nga mëshira, nga barazia. Një bektashi i vërtetë duhet të bënte vetëm mirë, duhet të respektonte të tjerët edhe kur këta janë të ndryshëm për nga raca, feja e kombësia. Një bektashian, thoshte Naimi, duhet ta respektonte gruan. Tek gruaja qëndron principi i jetës dhe i vazhdimësisë së saj. Ndaj kjo duhet të kishte e të gëzonte dinjitetin e saj, duhet të ishte e barabartë me burrat dhe duhet të shfaqej në publik plot hir e dinjitet, pa u vjedhur, pa u mbuluar me perçe. Tek njeriu moralshëm, i lirë e dinjitoz, Naimi shihte garancinë për progresin e shoqërisë. Në anë të kundërt, Naimi rendit veset që e ligështojnë njeriun dhe karakterin e tij: zilia, dinakëria, armiqësia, shpërdorimi, djallëzia, lakmia, fyerja, mëria. Shpifësi e spiuni (kallzuesi), sipas Naimit, përfaqësojnë llumin e shoqërinë njerëzore. Paditurinë, injorancën, ai e konsideronte një plagë të madhe shoqërore. Sa më i paditur të jetë njeriu apo populli, aq më i prirur është ai të tërhiqet nga e keqja. Prej këndej Naimi nxirrte rëndësinë e dijes: gjuhës, historisë, filozofisë, artit, poezisë për ngritjen morale të njeriut. Por, ajo çka bie në sy tek Naimi, është se ndër virtytet e bektashiut, apo më gjerë, të “shqiptarit të mirë”, ai veçon dashurinë për mëmëdheun e për gjuhën shqipe, dashurinë e njësinë me vëllezërit e një gjuhe, pavarësisht besimeve të ndryshme. Për Naimin, vëllazëria e dashuria mistike mund e duhet të ktheheshin në një vëllazëri kombëtare, që i kapërcen dallimet fetare. “Mes tyre”, shkruante ai, “por edhe me të gjithë njerëzit, bektashinjtë janë vëllezër…Ata duan si shpirtin e tyre edhe myslimanët e tjerë, edhe të krishterët… Po më shumë duan mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët”.
Sipas tij, baballarët e teqeve kishin një detyrë të veçantë në edukimin patriotik, veprimtaria e tyre duhet të udhëhiqej vetëm nga atdhetarizmi: “Baballarët duhet të përpiqen ditë e natë për kombin e tyre…, të punojnë me parësinë e me pleqësinë e fshatrave për shpëtimin e Shqipërisë e të Shqiptarëve, për dijen e qytetërimin e kombit e të mëmëdheut, për gjuhën shqipe, për të gjitha mbrothësitë e mbarësitë. Bashkë me pleqësinë e me parësinë të krijojnë dashurinë e vëllazërinë, njësinë e miqësinë në mes të gjithë shqiptarëve, të mos ndahen nga njeri tjetri, të krishterë e myslimanë të jenë tok, që të venë të gjitha punët mbroth e mbarë”. “Bektashinjtë e vërtetë, ç’do besë që të ketë njeriu e kanë mbi krye, dhe vëllanë e të dashurit s’i konsiderojnë kurrë të huaj, po ashtu nuk i mohojnë librat e besimeve të ndryshme”. Padyshim, vinte nga një burim bektashian edhe ky tipar i Naim Frashërit, që e shtynte atë të kapërcente ndarjet fetare e të këmbëngulte mbi vëllazërinë mes gjithë shqiptarëve. Me ide të tilla, Naimi injektonte një dozë të fortë nacionalizmi në vetë doktrinën e tarikatit, duke e afruar atë me vetë programin e Lëvizjes Kombëtare. Dhe ngjizja e kredos bektashiane me idetë revolucionare të Rilindjes kombëtare nuk rezultoi e vështirë. Ato bashkoheshin diku, bashkoheshin tek ideali i lirisë, i mendimit liberal dhe i humanizmit.
Në fakt, doktrina bektashiane ofronte një qëndrim krejt origjinal ndaj problemit delikat të marrëdhënieve ndërfetare. Ajo e kishte të zgjidhur këtë nyje dramatike, teksa i konsideronte të barabartë e vëllezër të gjithë shqiptarët, qofshin këta edhe të një besimi të ndryshëm nga ai bektashian. Teorikisht bektashizmi i lejon të krishterët të iniciohen në kultin bektashian, pa qenë nevoja të braktisin fenë e tyre. Vetë bektashianët shqiptarë i njësojnë disa shenjtorë të tyre me shenjtorë të krishterë: Abaz Aliun me Shën Ilian, Sari Salltikun me Shën Spiridhonin apo me Shën Naumin. Duke evidentuar këtë dukuri, studiuesja M. Hasluck shquan aty një ndikim të doktrinës së metempsikozës që u lejonte bektashinjve të besonin që një shenjtor mund të ishte njëherësh edhe i krishterë, edhe mysliman. Ndryshe nga monoteizmi dogmatik i islamit zyrtar, bektashizmi praktikonte një besim tolerant e të hapur ndaj besimeve të tjera. Jo pa arsye, nisur nga këto premisa, Margret Hasluck ka arritur në konkluzionin se bektashinjtë praktikojnë një lloj islami, i cili lejon progresin sipas modelit perëndimor.
***
E le ta mbyllim aty ku e filluam, tek përkitjet ideologjike të Naimit me Vaso Pashë Shkodranin. Naim Frashëri, ashtu si Vaso Pasha e Rilindasit e tjerë, ishin fort mirë të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ndarjet fetare i krijonin luftës për emancipim kulturor e politik të popullit shqiptar. Ndaj të gjithë ata përqafuan qasjen laike e antiklerikaliste të Iluministëve, duke predikuar idenë e ndarjes së shtetit dhe të shkollës nga feja. Madje, Zef Jubani e sidomos Vaso Pasha përqafuan edhe formën më radikale, atë të krijimit të një feje të re. Për një fe të re kishin folur hapur Voltaire, Rousseau, Saint Simoni dhe italiani Giuseppe Mazzini. Edhe ky predikonte në Itali krijimin e një besimi e të një “apostolati të ri”, të ndryshëm nga ai që predikonte kisha, e konsideruar vegël e regjimit të vjetër. Vaso Pasha ynë, foli edhe ai për diçka të ngjashme, për “shqiptarinë”, një credo e re, e cila do duhej të zëvendësonte fetë klasike të predikuara në kisha e xhamia. Se ç’kuptonte Vaso Pasha me këtë “fe të re” të shqiptarëve, pra me “shqiptarinë”, këtë besojmë se e shpjegon ai vetë në veprën e tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, botuar në frëngjisht në 1879. Aty, edhe njëherë i frymëzuar nga idetë iluministe, Vaso Pasha ndalet në traditat e besimit të shqiptarëve të hershëm, pellazgëve: “Pellazgët”, shkruan ai, “të cilët nuk shkëlqenin në artet e bukura dhe që nuk kishin një dituri relativisht të përparuar, adhuronin natyrën në shfaqjet e saj të dukshme, në thjeshtësinë e saj mirëbërëse. Perënditë e tyre ishin dheu, qielli, fusha, mali, ujët, guri, dielli, hëna dhe yjtë. Populli shqiptar dhe posaçërisht banorët e maleve, edhe sot betohen për dhè e për qiell, për zjarr e për ujë, për mal e për fushë, për diell e për hënë, në vend që të betohen për Perëndi e për shenjtëri”. “Beja mbi gur” vazhdon të arsyetojë Pashko Vasa, “ndeshet edhe sot në veri e jug të Shqipërisë: para se të jepet vendim mbi një çështje që gjykohet, pleqtë e zgjedhur si gjykatës betohen mbi gur”. Ne nuk dimë se ku i ka gjetur Vaso Pasha këto të dhëna për besimin e pellazgëve, burimet fare të pakta për ta nuk flasin për praktikat e tyre fetare. Por duket qartë, që ai e përfytyron besimin e pellazgëve të ngjashëm me atë që praktikonin në kohën e tij bektashinjtë. A mos vallë ai propozonte bektashizmin, këtë besim me rrënjë “pellazgjike”, si fe të re që do bashkonte gjithë shqiptarët? Ka të ngjarë të jetë kështu, aq më tepër që falë miqve e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë Frashëriotë, veçanërisht Naimit, bektashizmi kishte fituar edhe një përmbajtje të fortë kombëtare. Mbi këtë bazë, ne mund të mendojmë se Pashko Vasa e shihte zgjidhjen e problemit fetar në Shqipëri nëpërmjet përpunimit të një kredoje të re, që në fakt nuk ishte aspak e re, përderisa feja e re, “shqiptaria”, e përngjasuar prej tij me panteizmin bektashian, nuk ishte tjetër veç besimi pellazgjik. Si i tillë, një rizgjim i “panteizmit pellazgjik” ndër shqiptarët e shek. XIX, ishte edhe një lloj kthimi në identitet, përveçse një zgjedhje pragmatike në funksion të sheshimit të diferencave fetare. Justin Godard tregon se në vitet 1920 edhe Nikollë Ivanaj, një antiklerikalist i vendosur, i kishte folur atij për një “parti kombëtare të fuqishme”, e cila, sipas tij duhet të frymëzohej nga parimet morale e atdhetare të bektashizmit.
Ndërkohë, ideja e një zgjidhjeje radikale të problemit fetar, të domosdoshëm për të arritur unitetin moral e politik të kombit shqiptar, vazhdoi të mundojë mendjet e intelektualëve shqiptarë. Ideja e një credo-je të re, që nuk ishte më riedicioni i besimit pellazgo-bektashian, u mbrojt me forcë nga krijuesit e shkollës së “neo-shqiptarizmës”, Branko Merxhani e Vangjel Koça. Lëvizja kombëtare dhe vetë kombi konsideroheshin prej tyre rezultat i një “solidariteti kulturor” gjithpërfshirës që, sipas tyre, do të zëvendësonte “solidaritetin fetar”, i cili i parcelizonte shqiptarët. “Neoshqiptarizma”, kjo formë e re besimi, do të ishte pikërisht ideologjia ngjizëse e këtij “solidariteti kulturor” . Një tjetër intelektual i periudhës së midis dy luftërave botërore, Ismet Toto, u përpoq të artikulonte credon e tij, të ashtuquajturën “mistikën e re”, që s’ishte tjetër veçse formë virulente e një antiklerikalizmit militant. Ismet Toto ishte i bindur se bashkimi i gjithë popullit do arrihej jo vetëm kur të arrihej paqja klasore, por dhe kur të likuidohej përçarja fetare dhe ndikimi i ideologjisë së klerit mbi popullin. Polemika e tij me klerin, saktësisht me klerin katolik, u zhvillua së pari në një artikull të shkurtër, botuar në “Illyria” 8 prill 1934, si dhe në broshurën “Grindje me klerin”, 1934 . “Mistika e re” mund të quhet preludi i atij “ateizmit shtetëror”, i cili u zbatua më vonë, nën regjimin komunist, në Shqipëri. Ateizmi në fjalë ishte shfaqja më ekstreme e një “feje të re”, një kolazh nacionalizmi i përzier me ideologjinë komuniste, që ndryshonte aq shumë nga panteizmi patriotiko-bektashian, apo pellazgjik, i predikuar nga apostujt e bashkimit kombëtar, Naim Frashëri e Vaso Pasha.