Në 2020, fëmijët romë braktisën shkollat

Qeveria thotë se në vitin 2020 u raportua një rënie e fortë e numrit të nxënësve romë dhe egjiptianë në shkollat publike dhe jopublike shqiptare.
Sipas Qeverisë, në 2020 numri i nxënësve të këtyre pakicave ishte 14 mijë e 525. Shifra është rreth 1500 nxënës më pak se numri i tyre në vitin shkollor 2018-2019.
Shifra bëhet publike në raportin e pestë periodik kombëtar mbi zbatimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve.
Në këtë raport, Qeveria nuk përjashton mundësinë që numri i nxënësve në vitin shkollor 2018-2019 të mos ketë qenë i saktë dhe ndryshimin e shifrave të mos jetë kaq i thellë.
“Kjo ndoshta edhe për shkak të riorganizimit të ish-drejtorive arsimore rajonale/ zyra arsimore në zyrat vendore arsimore (ZVA) dhe raportimit të ndryshëm të të dhënave statistikore prej tyre”, thuhet në raport.
Të dhënat për vitin shkollor 2020-2021 janë ende në përpunim, ndërkohë që në raport theksohet se ka vijuar trajnimi vjetor i mësuesve të pakicave kombëtare.