Një ditë pas vendimit të DASH për Berishën, Parlamenti voton paktin me SHBA për ekstradimet, Gjonaj: Futet dhe vepra e korrupsionit

Një ditë pas shpalljes si person “non grata” nga SHBA për ish-kryeministrin Sali Berisha, Parlamenti do të votojë marrëveshjen e ekstradimit të firmosur qeverinë amerikane.

Marrëveshja “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shërbyer sot në seancë duke u lidhur dhe me faktin e vendimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, një nga firmëtaret e këtij traktati së bashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim, në diskutimin në seancën parlamentare ka zbuluar se SHBA mund të ketë të drejtën të ekstradojë edhe persona që akuzohen për korrupsion.

“Nëpërmjet këtij traktati, krijohet kuadri i ri rregullator për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve amerikanë dhe atyre shqiptarë, duke zgjeruar kështu dhe përditësuar kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor, doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike dhe çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti apo për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik”, deklaroi Gjonaj.

Më tej ajo theksoi se “traktati i ekstradimit shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur për të garantuar bashkëpunimin sa më të efektshëm ndërmjet dy shteteve tona në luftën kundër krimit, ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, për të mos lejuar asnjë shmangie të zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”.

Kujtojmë këtu që DASH në vendimin e tij për shpalljen e Berishës si person “non grata” përfshin akuzat për korrupsion në nivelet e larta.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën nga Departamenti i Shtetit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë:

“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë.

Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”

“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT