“Nuk do shkojë në SHBA, por na e lanë ne”/ Deputeti: Berisha të shpallej “non grata” që në 1997

Deputeti Ralf Gjoni thotë se vendimi i SHBA për të spallur “non grata” Sali Berishën është i vonuar dhe duhet të ishte marrë që në vitin 1997.
“Sipas DASH, Sali Berisha ka përdorur pushtetin për të pasuruar xhepin e tij dhe të aleatëve, në kurriz të institucioneve publike. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që disa prej nesh e denim, që Berishës i qenka ndaluar hyrja në SHBA. Është një akt i rëndë dhe domethënës, partneri strateg i Shqipërisë që e ngriti Berishën, dje ka marrë një vendim të rëndë për t’i ndaluar hyrjen në SHBA.
Do ishte më mirë sikur SHBA të kishte bërë diçka në 1997. Nëse Kim dhe paraardhësit e saj e kanë trumbetuar me të madhe se SHBA është pranë qytetarëve shqiptarë, unë si pro perëndimor do kisha dashur që SHBA të na ishte gjendur më parë pranë dhe të na kishte kursyer këto 8 vite në pushtet të Berishës.”
Gjoni tha se ndërsa “ujkut po i vjen ngordhja, çakalli po bën kërdinë në vend”, duke iu referuar kështu edhe kryeministrit. Prandaj ai kërkoi që drejtësia të veprojë sa më parë. Deputeti kërkoi që SHBA të publikoi provat për Berishën.
“Çakalli po bën kërdinë. Shqiptarët presin që reforma në drejtësi të mos mbetet thjesht një fabul, që do të thotë se nëse Berisha ka marrë pjesë në korrupsion aktivë partnerët tanë amerikanë të japin prova dhe të bëhet drejtësi. Se Berisha është ndaluar të shkojë në SHBA kjo s’na ndihmon, se e kanë ndaluar të shkojë atje dhe na e kanë lënë ne. Këtu fjalën e kanë institucionet e drejtësisë. Ata të fillojnë të hetojnë. Të japin llogari që ato asete që kanë grabitur nga pasuritë e përbashkëta t’i kthejnë pas dhe t’i shkojnë popullit. Kjo është ftesa ime për drejtësinë. Shqiptarët i kanë sytë nga drejtësia e cila duhet të japë rezultate”, tha ai./Gazeta SHQIP