Paqja mbaroi! Saga e vrasjeve që tronditën Elbasanin, atentatet që u finalizuan duke goditur vetëm objektivin e jo familjarët

Paqja mbaroi në qytetin e Elbasanit, vrasja e djeshme hapi një cikël të ri hakmarrjesh mes grupeve kriminale. Qyteti i Elbasanit u trondit mbrëmjen e djeshme, ku u ekzekutua në sytë e gruas së tij, Everest Cakaj.
Burime tregojnë se 41-vjeçari po shkonte të merrte gruan te familjarët e saj. Ka qenë ky momenti ku ata janë goditur nga një makinë dhe kanë ndaluar, pak sekonda autori i është afruar dhe ka goditur viktimën me një plumb në gjoks dhe një në qafë sipas dëshmisë së bashkëshortes së viktimës.
Duket një ekzekutim tipik mafioz ku autori apo autorët godasin shenjestrën dhe jo njerëzit që ndodhen afër objektivit. Qyteti i Elbasanit në historikun e vrasjeve ka pasur edhe raste të tjera ku vrasësi ka goditur shenjëstrën e sulmit dhe jo njerëzit që ndodheshin pranë.
Gazeta “Shqip” po rendit disa nga ngjarjet e bujshme në Elbasan, ku ky qytet ka regjistruar ndër vite, e një pjesë e mirë për larje hesapesh, përplasje bandash dhe hakmarrje.
17 shtator 2020– Vritet Bujar Çela, i cili ishte duke pire kafen e mëngjesit në një lokal afër shtëpisë së ti. Çela punonte si taksist, por sipas grupit hetimor vrasja e tij vjen për shkak të vëllait të tij Talo Çela i cili kërkohet ende nga policia për grabitjen e Rinasit.
22 Mars 2019– vritet avokati Ravik Gurra, i njohur si mbrojtësi i familjes Çapja dhe avokat i Emiljano Shullazit. Gurra u godit nga autori në prani të disa miqve në tavolinë, me pistoletë në kokë duke e lënë të vdekur në vend.
28 Dhjetor 2018 – Vrasja e trefishtë që tronditi Elbasanin, në prag të festës së Vitit të Ri ku mbetën të vdekur tre persona Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Terdal Durunay. Vrasja u cilësua edhe si “Masakra e Bradasheshit “ vendi ku ndodhi krimi makabër. Pak metra më tutje në një tjetër makinë ndodhej bashkëshortja e Endrit Alibej me fëmijët, por autorët nuk u goditën pasi mbaruan punë me objektivin e tyre.
15 gusht 2012– Vrasja e Gentian Beqirit në sy të babait dhe më pas edhe eliminimi i të atit nga shokët e Gentianit, i cili ishte i paralizuar. Kujtojmë se Beqiri ishte armiku i Çapjave pasi ata e akuzonin si vrasësi i vëllait të tyri Sokol Çapja.
Të gjitha këto ngjarje kriminale të cilat kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit, janë të mirë organizuara dhe nga persona të stërvitur. Pasi në këto atentate nuk ka mbetur asnjë viktimë tjetër që nuk ka qenë objektiv i vrasësve. Vrasjet po ndodhin pikërisht pas zgjedhjeve dhe në kohën kur pritet të vijnë dhe emigrantë në vendet e tyre.
Tregu i kokainës dhe përplasja e bandave duket se i ka rizgjuar konfliktet e hershme duke e bërë Elbasanin sa herë subjekt së kronikës së zezë.
Sipas raportit të revistës Monitor, Elbasani cilësohet si një qendër e rëndësishme e Kokainës dhe si vend tranziti i saj. Në vitin 2019, policia në Ballkan kapi 255.4 kilogram kokainë ku pjesa më e madhe ishte në vendin tonë. Kokaina vjen nga porti i Durrësit më pas transportohet në Veri drejt Podgoricës përgjatë të njëjtave rrugë trafiku të përshkuara, drejt Bosnjës dhe Kroacisë ose të transportohet në lindje në Maqedoninë e Veriut dhe pastaj përgjatë rrugëve të përdorura për kontrabandën e llojeve të tjera të drogave.
Në vitin 2015, një laborator i kokainës u zbulua në fshatin Xibrakë në qytetin e Elbasanit e destinuar për tregun gjerman. Meqenëse shumica e kokainës po hyn në rajon përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, pastërtia më e lartë dhe për këtë arsye kokaina më e shtrenjtë gjendet në Tiranë dhe Podgoricë.