Përçarje/ Krijohet “Grupimi për PD”, nismëtarët: Dorëheqja e parevokueshme e Bashës, kushti kryesor për ringritje

Grupimi për PD-në është nisma më e re e krijuar nga figurat e njohura brenda radhëve të demokratëve që kërkojnë largimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha duke e bërë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike është fillimi i ringritjes së kësaj force politike. Ky është mesazhi i fortë i grupimit “Për PD-në” që kanë dalë në një konferencë për shtyp ditën e sotme.
Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha kanë mbajtur një deklaratë shumë të fortë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
“Largimi i Lulzim Bashës nuk është fundi i PD-së por është fillimi i ringritjes. Mosmarrja pjesë në reformën territoriale, apo në zgjedhje i la fushë PS-së. Sot PD nuk ka asnjë të zgjedhur në nivel qendror dhe nivel lokal. Lista e PD rezultoi e shitur, me ata u sigurua një shumicë kushtetuese. Marrëveshja e 5 majit dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët”, deklaroi Edit Harxhi në konferencën e sotme për shtyp.