PS e akuzon se nxiti me deklaratat e tij vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Presidenti: Nuk do të kishte ndodhur nëse policia…

Presidenti ka refuzuar nismën e socialistëve për të qenë i pranishëm në komisionin e Ligjeve ku do të shqyrtohet nisma për shkarkimin e tij si president i vendit.

49 deputetë të mazhorancës kanë firmosur nismën për shkarkimin e tij, e presidenti veç arsyes që çojnë në mos marrjen pjesë në mbledhjen e komisionit të Ligjeve ka përmendur edhe incidentet e ndodhura në zgjedhje kur më i rëndi është ai vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, disa ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan, një mbështetës i PS-së i vrarë nga mbështetësit e PD-së, të njohur si grupi për mbrojtjen e votave.

“Kjo situatë pa diskutim që mund të përdoret nga subjektet politike për manovra që pengojnë zgjedhjet sipas interesave të ngushta partiake, të dëmtojnë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe rrezikon krijimin e precedentëve të rrezikshëm për demokracinë, ku zgjedhjet e lira dhe periodike janë një nga themelet e mirëfunksionimit të saj. Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në kërkesën e PS-së.

Presidenti në lidhje me këtë akuza të mazhorancës është munduar t’i hedhë poshtë ato, madje duke akuzuar socialistët se në Elbasan kishte kontakte me persona të inkriminuar.

Në lidhje me këtë Meta mban të njëjtin qëndrim si opozita. “Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur nëse Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të kishin kryer veprimet e tyre në kohë, si për të hetuar nxitësit e konfliktit që ishin kallëzuar ditë më parë nga Partia Demokratike, ashtu dhe për të neutralizuar personat e përfshirë në këtë konflikt”, shkruan Meta.

Sakaq kreu i shtetit ka shtuar se “Kallëzimi i Partisë Demokratike, tregon qartë se personat e kallëzuar prej saj ishin të njëjtët me ata persona që shoqëruan Kryeministrin në ditën e Verës dhe ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës. Kjo çështje duhej të shqyrtohej me urgjencë nga Prokuroria, pasi personat e kallëzuar nga Partia Demokratike janë po ato emra që ishin në shoqërinë e Kryeministrit dhe Taulant Ballës ditën e verës në 14 mars, dhe ishin sërish po ata që u përfshinë në konfliktin e 21 prillit në Elbasan”.

Pjerin Xhuvani ka qenë dikur kryetari i LSI-së për Elbasan, si dhe gjithashtu kandidati për deputet i kësaj force politike. Më pas Xhuvani kaloi më pas te PDIU dhe në këto zgjedhje ishte mbështetës i Partisë Socialiste.

Pretendimet e Metës

1.      Ngjarja e Elbasanit e datës 21 prill 2021

Në datë 21 prill 2021, në Elbasan, pavarësisht thirrjeve dhe denoncimeve të opozitës për parandalimin dhe hetimin e një krimi zgjedhor konkret, për shkak të mosveprimit të policisë dhe prokurorisë, situata përshkallëzoi në një konflikt dhe shkëmbim zjarri të armatosur, ku për fat të keq humbi jetën shtetasi Pjerin Xhuvani dhe pati disa persona të tjerë të plagosur.

Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur nëse Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të kishin kryer veprimet e tyre në kohë, si për të hetuar nxitësit e konfliktit që ishin kallëzuar ditë më parë nga Partia Demokratike, ashtu dhe për të neutralizuar personat e përfshirë në këtë konflikt.

–   Në datën 14 mars 2021, disa persona me precedentë penalë që shoqëronin Kryeministrin në Elbasan në kremtimin e “Ditën e Verës”, ushtruan dhunë ndaj disa mbështetësve të opozitës. Këto pamje i kemi parë të gjithë. I keni parë dhe ju anëtar të Komisionit të Ligjeve, apo jo?  Dhuna u ushtrua në prezencë të Kryeministrit, në prezencë të deputetëve të Partisë Socialiste, në prezencë të z.Taulant Balla, Kryetar i Grupit të PS, në sy të mediave dhe në prezencë të Policisë së Shtetit.

–  Në datën 7 prill 2021, Partia Demokratike, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi me shkresë Nr. 52 prot, datë 07.04.2021, ka paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) një Kallëzim Penal për hetimin e mbi 40 shtetasve të cilët në mënyrë të vazhduar ishin të angazhuar në favor të Partisë Socialiste, duke konsumuar në mënyrë të përditshme, në mes të Elbasanit, por jo vetëm, vepra penale të Krimit Zgjedhor, dhe vepra të tjera penale të lidhura me to. Ja ku e keni kopjen e kallëzimit penal.

– Kallëzimi i Partisë Demokratike, tregon qartë se personat e kallëzuar prej saj ishin të njëjtët me ata persona që shoqëruan Kryeministrin në ditën e Verës dhe ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës. Kjo çështje duhej të shqyrtohej me urgjencë nga Prokuroria, pasi personat e kallëzuar nga Partia Demokratike janë po ato emra që ishin në shoqërinë e Kryeministrit dhe Taulant Ballës ditën e verës në 14 mars, dhe ishin sërish po ata që u përfshinë në konfliktin e 21 prillit në Elbasan.

– Pra, kush e nxiti krimin? Kush i mbrojti personat me precedentë penalë? Përse nuk u hetuan dhe ndaluan në kohë?

Nga këtu duhet ta nisi Kuvendi!  Këtyre pyetjeve duhet t`i japë përgjigje Kuvendi!

A ishin personat me precedentë penalë që shoqëruan Kryeministrin në Ditën e Verës dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës në 14 mars, të njëjtë me personat që u kallëzuan nga Partia Demokratike në SPAK në datë 7 prill, dhe po të njëjtët ata që u përfshinë dhe nxitën konfliktin në ngjarjen e Elbasanit të datës 21 prill?!

Kjo çështje patjetër që duhet zbardhur!

Në kushtet kur Prokuroria dhe Policia nuk kanë zbardhur ende dinamikën e ngjarjes, për këto çështje duhet të kërkojë sqarime Kuvendi. Për këto çështje presin ende të informohen Shqiptarët.

–  Prokuroria SPAK, në vend që të fillonte menjëherë hetimet ndaj personave të kallëzuar, që ishin po të njëjtët shtetas që shoqëronin Kryeministrin dhe deputetët e Qarkut Elbasan në “Ditën e Verës”, vetëm pas 8 ditësh, në datë 15.04.2021, ia ka përcjellë kallëzimin për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

– SPAKU-t iu deshën 8-ditë, që vetëm ta përcillte për kompetencë hetimore në Elbasan këtë kallëzim, ndërkohë që referuar faktit të kallëzuar se për kë po punonin këta elementë kriminalë, ngjarja duhet të hetohej nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Elbasanit.

– Një tjetër fakt i rëndë, ishte se shkresa e SPAK-ut e datës 15 prill u mbajt për 4 ditë pa u regjistruar në Prokurorinë e Elbasanit, deri në datë 19.04.2021. Pra Prokurorisë së Elbasanit dhe  SPAK-ut, iu dashën 4 ditë, vetëm për ta protokolluar/administruar këtë kallëzim.

–  Nuk mjaftoi zvarritja 12 ditore, por Prokuroria e Elbasanit, në datë 20 prill e njoftoi  përfaqësuesin e kallëzuesit, z. Gazmend Bardhi, për t`u paraqitur për shpjegime vetëm në datë 30 prill 2021, pra pas 10-ditësh nga dita e deklaruar si datë e administrimit të kallëzimit, afat ky që përkonte pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Nëse vërtet Kuvendi është në kohë dhe dëshiron të “hetojë”, mund të përmbushë porositë apo kënaqësitë e porositura, nga shqyrtimi i kësaj ngjarjeje, për t`i dhënë përgjigje pyetjeve:

–  Përse Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, dhe Taulant Ballës, u duhej mbështetja e personave me precedentë penalë, para, gjatë, dhe pas fushatës zgjedhore të 25 prillit ?

– A duhej Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillonte menjëherë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të ishin të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?

–  A kanë patur kandidatët e Partisë Socialiste, dhe drejtuesit politikë të qarkut Elbasan, përfshirë zotin Taulant Balla, kontakte të vazhdueshme, telefonike apo të çfarëdo lloji me persona me precedentë kriminalë, përgjatë fushatës zgjedhore?

–  A kanë patur kontakte posaçërisht me personat e përfshirë në ngjarjen e 21 prillit, të njëjtë me ata të kallëzur shumë më herët nga Partia Demokratike?

– Pse Prokuroria SPAK, në vend që të fillonte menjëherë hetimet mbi këtë çështje, pasi ishin të kallëzuar nga opozita po të njëjtët shtetas që shoqëronin Kryeministrin dhe deputetët e Qarkut Elbasan në “Ditën e Verës”, vetëm pas 8 ditësh, përmes shkresës nr. 314/1 Prot/MK, datë 15.04.2021, ia ka përcjellë këtë kallëzim për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan?

–  Pse SPAKU-t iu deshën 8-ditë, që vetëm ta përcillte për hetime në Elbasan, ndërkohë që referuar kallëzimit dhe faktit se për kë po punonin këta çpersonat problematikë, ishte e qartë se ky material kallëzues, duhet të hetohej nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Elbasanit.

– Përse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të Partisë Demokratike dërguar për kompetencë prej SPAK? Pse shkresa e SPAK-ut, që mban datën 15 prill 2021, është bërë hyrje në Prokurorinë e Elbasanit me Nr. 721 prot., datë 19.04.2021.

– Kësaj të fundit, apo SPAK-ut, i janë dashur 4 ditë, vetëm për ta administruar këtë kallëzim?

–  Përse zoti Gazmend Bardhi si Kallëzues është njoftuar për t`u paraqitur vetëm në datë 30 prill 2021, pra 5-ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve?

–  A ishte Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve? A kandidonte për deputet në këto zgjedhje si kandidat i Partisë Socialiste në qarkun Elbasan, zoti Besion Gëzim Ajazi, vëllai i drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Elbasan, zoti Kreshnik Gëzim Ajazi ?

–  A ka paraqitur opozita e vërtetë, kërkesë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të shmangur konfliktin e interesit mes Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Elbasan dhe kandidatit për deputet të Partisë Socialiste dhe që mban datën 10 mars 2021?

– Nëse Kuvendi nuk mundet të sigurojë informacion mbi këtë kërkesë të Opozitës, Presidenti po i vendos në dispozicion Kuvendit, shkresën nr. 161 prot, datë 10 mars 2021 të LSI drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që provon se në këtë rast edhe KLP, nuk ka funksionuar dhe ka hezituar ta trajtojë këtë rast kaq flagrant të konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrës në sistemin e drejtësisë penale.

–  Tani që Kuvendi u njoh dhe e administron këtë dokument, nisur nga vullneti që ka shfaqur për të zbardhur të vërtetën, duhet të verifikojë çdo rrethanë për të sqaruar faktin se, përse nuk është marrë në shqyrtim kjo kërkesë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë?

– Çfarë e pengoi këtë organ qeverisës të sistemit të drejtësisë, apo kush e urdhëroi atë organ, që të lejonte faktin që, Drejtuesi i Prokurisë Elbasan të ushtronte detyrën në konflik interesi?

– Ndërkohë që në ngjarjen e 21 prillit 2021, ishin të pranishëm drejtues të Policisë së Shtetit dhe efektivë të saj, pse Policia e Shtetit nuk ndërhyri, por u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit?

–  Përse organet ligjzbatuese (Policia dhe Prokuroria) dhanë dy versione të ndryshme për ngjarjen?

– Vonesa të tilla, dhe mosveprim i organeve ligjzbatuese, janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, apo përtej saj, për t`i lënë kohë personave përgjegjës që të viheshin në funksion të Partisë Socialiste në këtë proces zgjedhor.

Nëse Kuvendi do prova, le të fillojë me shqyrtimin e këtyre dy fotove më poshtë, të cilat tregojnë qartë se mosveprimi në kohë i organeve ligjzbatuese, mbase pikërisht për shkak të mbështetjes së elementëve kriminalë nga dhe për Partinë Socialiste, Kryeministrin dhe Drejtuesin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, (kandidat në Elbasan) solli si pasojë më pas dhe ngjarjen tragjike të Elbasanit.

Ndaj Presidenti, edhe pse nuk e keni specifikuar kërkesën ndaj tij në komunikimin tuaj elektronik, mund të diskutojë për këto çështje me ata deputetë që mbajnë ende në mënyrë kushtetuese mandatin e deputetit dhe që nuk janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, që nuk janë bashkëpunëtorë dhe as bashkëfajtorë në këto krime zgjedhore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT