Rama përplaset me ministrin gjerman: Nuk të lejoj që Shqipërinë ta portretizoni si rrezik

Në një prononcim për median gjermane “Bild”, kryeministri Rama kritikoi deklaratat e ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili është shprehur se gjysma e të gjitha infeksioneve me COVID-19 në Gjermani verën e kaluar erdhën si shkak i vizitave familjare nga emigrantët në Ballkan.

“Është një skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin”, është shprehur Rama për “Bild”.

Kryeministri shton se nuk do të lejojë që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet në sezonin e verës, pasi sipas tij nuk ka shifra për ta provuar këtë.

“Ministri gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi e stereotipa kundër Ballkanit”, tha ndër të tjera Rama.

Gjatë dy javëve të fundit numri i rasteve me COVID në vendin tonë ka ardhur në rënie graduale, ashtu si edhe numri i fataliteteve dhe shtrimeve në spitale.

Ditën e djeshme u identifikuan 14 raste të reja në 3.366 testimeve të kryera, ndërsa dy ditë më parë numri i infektimeve ishte vetëm 6 në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, ritmet e vaksinimit kanë qenë të kënaqshme krahasuar me vende të tjera të rajonit. Në total në Shqipëri janë kryer rreth 725 mijë doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, rreth 250 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT