Raporti i DASH për liritë fetare/ Nga kthimi i pronave tek fondet, problemet e konstatuara në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për liritë fetare në Shqipëri për vitin 2020. Në raport thuhet se në Shqipëri liria e besimit garantohet nga kushtetuta dhe shteti njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin bazuar në fe.

Raporti evidenton shqetësimin e Vëllazërisë Ungjillorë Shqiptare lidhur me fondet.

 “Ligji përcakton se qeveria jep mbështetje financiare për komunitetet e besimit, por Vëllazëria Ungjillorë Shqiptare raportoi se qeveria vazhdoi të mos ndajë fonde për kishat e krishtera ungjillore.”

Më tej në raport thuhet se qeveria legalizoi 92 ndërtesa në pronësi të grupeve fetare gjatë 2020, krahasuar me 164 në 2019, ndërsa statusi i 32 pronave shtesë mbeti nën shqyrtim.

Pronat janë problemi kryesor i komuniteteve fetare në Shqipëri. Komunitetet fetare shprehën shqetësim duke akuzuar për burokraci në procesin e kthimit të pronave dhe legalizimeve.

“Korrupsioni, mungesa e njohurive për kompetencat dhe juridiksionin mbi çështjet e pronës dhe ngarkesat e mëdha në sistemin gjyqësor penguan komunitetet fetare për të çuar përpara pretendimet për pronat e tyre.

Mijëra çështje ishin në Gjykatën e Lartë, e cila po plotëson kuorumin me gjyqtarë që kaluan një proces gjithëpërfshirës të verifikimit (vettingu); duke mos pasur kuorum, Gjykata e Lartë nuk ishte në gjendje të vendoste çështjet” vijon më tej raporti.

Drejtuesit e VUSH raportuan vështirësi të vazhdueshme në marrjen e lejes për të ndërtuar vendet e adhurimit, si dhe probleme në lidhje me tarifat e qeverisë komunale. Komuniteti Bektashi dhe Komuniteti Mysliman Shqiptar raportuan probleme në mbrojtjen e titullit për prona të caktuara.

Gjithashtu, në raport thuhet se qeveria refuzoi dhënien e një lejë të KMSH për  “për të ndërtuar një kampus të ri për Universitetin Beder, të kërkuar në fillim të vitit 2018.”

“Ambasada amerikane u bëri thirrje zyrtarëve të qeverisë të përshpejtojnë procesin e pretendimeve për pronat dhe të kthejnë ndërtesat e grupeve fetare dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste”, thuhet në raport./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT