Rihapja e dosjes së Gërdecit/ Kreu i SPAK, Kraja zbulon detajet: Ish-ministri Mediu nuk u gjykua se kishte imunitet

Kreu i SPAK, Arben Kraja në një intervistë ekskluzive në studion e “Breaking” në Top News ka deklaruar se prokuroria e posaçme i është drejtuar Gjykatës për rihapjen e çështjes së Gërdecit, sa i përket rastit të ish-ministrit Fatmir Mediu.
Vendimi është marrë nga SPAK, pasi Zamira Durda, e cila humbi djalin 7 vjeç në shpërthimin e Gërdecit, u kthye më pas në simbolin e të kërkuarit drejtësi, paraqiti kërkesën për rihapjen e hetimeve. Një vendim i fortë që vjen pas 13 vitesh pas kësaj ngjarjeje të rëndë ku humbën jetën 26 persona.
“Është një kërkesë që na erdhi nga familjarët e njërit prej viktimave që kërkoi rihapjen e procesit. Morën kërkesën e rezultoi se prokuroria e përgjithshme e ka çuar për hetim. Një pjesë ka përfunduar dhe hetimi është veçuar. Ndërkohë që pjesa e gjykimit ndaj ish-ministrit Mediu nuk është shqyrtuar, sepse në atë koha ka pasur imunitet. Në situatën e tanishme, pengesa nuk ekziston më mburoja e imunitetit dhe kështu që ne iu drejtuam gjykatës për të rihapur procesin. Pra kemi një rihapje të procesit drejtuar gjykatës që nuk është shqyrtuar dhe nuk është përfunduar. Nëse nga procesi gjyqësor dalin prova të reja atëherë mund të dalim me konkluzione të tjera”, deklaroi Kraja në “Breaking”
Më tej kreu i SPAK shtoi se “veprimet lidhen me një çështje që është pezulluar në gjykim dhe rihapet po në gjykim, me të njëjtin status”.
Ai shtoi se çështja ka vetëm një të akuzuar dhe që është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
“Zonja (Zamira Durda) ka të drejtat e ligjshme për të qenë palë në proces, se sa do ta arrijë këtë do ta vendosë gjykata”, theksoi Kraja, duke e lidhur dhe me faktin nëse nëna që humbi djalin kishte të drejtën ti drejtohej gjykatës apo jo. Shefi i SPAK nuk preferoi të komentonte akuzat e ish-ministrit Mediu që e akuzoi po nga studio e “Breaking” se po përdorej politikisht. “Nuk dua të debatoj me qëndrimin e tij”, theksoi Kraja.