Serbia “tallet” me kërkesën e Kosovës për t’i kthyer artefaktet e grabitura

Muzeu Kombëtar i Kosovës i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve tona që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.

Po ashtu, edhe Ministria e Kulturës dhe ajo e Jashtme e Kosovës ia bashkëngjitën një letër tjetër kësaj kërkese në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke i dhënë mbështetje të plotë Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Këtë kërkesë e kishte publikuar edhe profili në “Twitter” i “UNESCO Kosova”, duke cituar një pjesë të deklaratës së letrës së ministrave Hajrulla Çeku dhe Donika Gërvalla.

E këtë postim të “UNESCO Kosova” e kishte shpërndarë Delegacioni i Serbisë në UNESCO në profilin e vet zyrtar në Twitter, me një deklaratë ironike.

“Kush janë këta njerëz? E ashtuquajtura ‘Kosovë’ nuk është as Shtet e as anëtare e UNESCO-s dhe e konventave të saja. Është e qartë se veten po e paraqesin rrejshëm”, thuhet në postimin e Delegacionit serb në UNESCO.

Edhe e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, reagoi ndaj kësaj kërkese, e cila në mënyrë tallëse, thotë se nuk e njeh kategorinë e “trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ashtu siç nuk e njeh as “shtetësinë e Kosovës”.

“Sipas Kushtetutës së Serbisë dhe ligjit ndërkombëtar, Kosova dhe Metohija është pjesë e territorit të Serbisë, dhe të gjitha artefaktet që vijnë nga territori i krahinës sonë autonome të Kosovës dhe Metohisë janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë”, thotë kjo zyrë përmes një deklarate për media.

Më tej kjo e ashtuquajtur zyrë tha se “me të drejtë justifikohet frika se artefaktet do të rrezikoheshin kulturore dhe arkeologjike nëse do të ktheheshin në Kosovë” ndërsa shton se “këtë vit kishte 11 sulme ndaj ndërtesave dhe pronave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Më tej, e ashtuquajtura zyrë për Kosovën, ka vlerësuar se jo të gjitha argumentet me të cilat Muzeu Kombëtar i Kosovës po kërkon “artefakte kulturore dhe historike serbe” janë të vlefshme.

“Argumenti i parë është një thirrje për transferimin konsensual të objekteve të nënshkruara midis dy institucioneve kulturore të Serbisë, dhe sot këto objekte kërkohen nga një institucion kulturor i cili, si nga pikëpamja e Kushtetutës së Serbisë dhe ligjit ndërkombëtar, është një jo-entitet ekzistues”, theksohet në deklaratë.

Ndërsa shton se thirrja e Muzeut Kombëtar të Kosovës në konventën e UNESCO-s dhe në planin Ahtisaari, nuk qëndron pasi “Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s dhe se plani Ahtisaari nuk u miratua kurrë”.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, në letrën e djeshme, dha detaje për artefaktet e marra padrejtësisht nga Serbia në vitet e ’90-ta për, siç tha ai, “ekspozim të përkohshëm në Serbi me detyrim për t’i kthyer”.

“Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës. Ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse”.

“Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës”, u tha në letrën e Lecit drejtuar institucioneve serbe.

E për të realizuar këtë detyrim, ai propozoi themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë.

“Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, theksoi Leci në letrën e tij dërguar Serbisë. /Zëri

Back to top button
LAJMET E FUNDIT