“Shkarkimi i Metës nuk është i lehtë”, Lami: Maxhoranca ndryshe nga hera e parë, është e vendosur

Pedagogu i njohur, Roland Lami, është shprehur ditën e sotme se maxhoranca ndryshe nga hera e parë, tani është e vendosur për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e tij si president.
Teksa ishte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, Lami tha se presidenti mund të shkarkohet nëse shkel Kushtetutën apo bën tradhti të rëndë.
Sipas pedagogut, shkarkimi i Metës nuk është i lehtë. Lame shtoi se sipas Komisionit të Venecias, Meta nuk ka bërë shkelje të rëndë.
“Kuvendi kërkoi një opinion nga Komisioni i Venecias për shkarkimin e Metës, ku u konstatua që presidenti përmes aktit të ndërmarrë ka bërë një kapërcim të kompetencës. Pavarësisht këtij kapërcimi, nuk kemi të bëjmë me një akt të rëndë që justifikon shkarkimin e Metës”, tha Lame teksa komente Komisionin e Venecias.
I pyetur a duhej të jepte Meta dorëheqjen, pedagogu tha: “Presidenti ndoshta ka parë që hapësira në të cilën lëviz presidenca është shumë e madhe dhe mundësia për ta atakuar është e vogël”.
“E parë kështu ka garancinë sipas presidentit, se edhe Gjykata Kushtetuese do ta refuzojë propozimin e marrë nga Kuvendi për shkarkimin e tij. Nëse e siguron këtë nga Gjykata, Presidenti do dalë nga i fajshëm në një president që ka qëndruar në përputhje me Kushtetutën. Por Gjykata Kushtetuese mund ti japë të drejtë Kuvendit, e mund të na faktojë se presidenti ka bërë shkelje të Kushtetutës”, tha Lami.