Shkarkimi i presidentit/ Reagon Presidenca: Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mbledhur ditën e sotme dhe pritet të miratojë raportin përfundimtar në të cilin do të raportohen gjetjet e shkeljeve dhe më pas do i dërgohet Parlamentit për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.
Para marrjes së këtij vendimi ka reaguar zëdhenësi i presidentit Tedi Blushi, i cili shkruan se ssnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak. Ilir Meta do ta ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022.
Postimi i Tedi Blushit:
Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.