S’ka rinumërim tjetër në Berat, KAS rrëzon kërkesën e LSI-së dhe vulos ndarjen e mandateve në këtë qark

KAS vendosi që të ndryshojë vendimin e Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për rezultatin zgjedhor në Qarkun e Beratit, por ky vendim nuk cenon numrin e mandateve për secilën parti.
Tabelat e rezultateve do të ndryshojnë sipas rezultati të ri që u përfitua nga rinumërimi i 114 kutive të votimit, nga 277 që ka në total Qarku i Beratit. Në përfundim të këtij rinumërimi Partia Socialiste humbi 20 vota, LSI u shtua me 15 dhe PD humbi po 15.
Rinumërimi ngushtoi diferencën mes mandatit të pestë të PS dhe mandatit të parë të LSI-së, por ishte i pamjaftueshëm për ta ndryshuar këtë rezultat.
KAS vendosi gjithashtu që të mos rinumërojë kutitë e tjera.
U rrëzua edhe kërkesa e LSI-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra votimi në Qarkun e Beratit.
Ky vendim mund të apelohet nga palët ankimuese brenda pesë ditëve në Kolegjin Zgjedhor.
LSI në kërkesën fillestare kërkoi hapjen e 114 kutive të votimit, por më pas kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e 277 kutive të të gjithë qarkut të Beratit. PS mbështeti kërkesën e parë për 114 kutitë duke nënvizuar se nëse do të ketë ndryshim rezultati nga rinumërimi i këtyre kutive, do të rinumërohen të gjitha.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi 2 ditë më parë me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie në Berat dhe Gjirokastër. Ndërkohë që janë rrëzuar edhe kërkesat e PD-LSI edhe për ripërsëritje zgjedhjesh në Qarkun Berat.
Pas Gjirokastrës dhe Beratit, KAS ka rrëzuar kërkesat për pavlefshëmri dhe përsëritje të zgjedhjeve edhe në Qarkun e Vlorës. Para disa ditësh KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD për prova shtesë nga institucionet dhe e tjera publike, ndërsa ka pranuar kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark.