SPAK mbyll dosjen e ‘Patronazhistëve’, asnjë akuzë për shitblerje votash apo korrupsion

Dy muaj pas publikimit të skandalit të “Patronazhistëve” ku u publikua database me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion), pritet të mbyllë dosjen dhe t’ja kalojë Prokurorisë së Tiranës.
Burime sqaruan se nga hetimi i deritanishëm, SPAK pretendon se nuk ka elementë të veprës penale korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Hetimi i SPAK është drejt fundit, dhe tashmë dosja pritet ti kalojë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhja e të dhënave personale”.
Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut që detyroi SPAK të devijonte rrjedhën e hetimit pasi vuri sekuestron mbi kompjuterat dhe pajisjet e portalit Lapsi.al që publikoi i pari skandalin.
Me “JO”-në e Strasburgut, SPAK nuk e shtriu dot hetimin më tej për të verifikuar se kujt i shërbente ky regjistër dhe se kush i kishte mbledhur të dhënat. SPAK nuk ka dhënë asnjë informacion për publikun, se a u morën në pyetje patronazhistët apo zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste për mbledhjen e të dhënave.
Gjendur në këto rrethana, duke mos hetuar dot zyrtarët dhe me duart e lidhura nga ndërkombëtarët për të ushtruar presion mbi mediat, SPAK, i ka rënë rrugës më shkurt, duke përsëritur skenarin e Dosjes 183, dhe duke bërë delegimin e hetimit te Prokuroria e Tiranës.