Topi: Në PD nuk ndryshon asgjë, nëse duan të dëmtojnë Bashën duhet të merret ky hap

Bamir Topi nuk pranoi të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë për largimin nga Fryma e Re Demokratike vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Në studion e emisionit “ Të Paekspozuarit”, në MCN TV, Topi tha se do t’i zbulojë arsyet e largimit në librin e radhës, ndërsa përjashtoi do rikthim në PD përsa kohë aty është Sali Berisha.
“Janë disa motive që i kam futur në librin tjetër. Do punoj për ekskluzivitetin e librit tim. Problemi është këtu: në asnjë lloj rrethane nuk ndryshoj deklaratat e mia kapitale. Jam shprehur në 2013 kur kishte tentativa për të ndërtuar një koalicion me PD dhe kam thënë sa kohë të jetë Sali Berisha në atë parti, unë nuk kam vend. Dola me një projekt politik. Në rast se PD ka rënë në këtë pozicion, ka ndodhur sepse fali në 2008”, tha Topi, duke kujtuar ndryshimin e Kushtetutës.
Pyetjes së si mund të ndryshojë situata në PD, ish-presidenti Bamir Topi iu përgjigj me pesimizëm duke thënë se asgjë nuk do të ndryshojë.
Gjatë intervistës në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Topi tha se pavarësisht të drejtës për të konkurruar, Basha duhet lënë vetëm në garë dhe kjo sipas tij do ta dëmtonte realisht atë.
“Nuk do të ndryshojë asgjë, bisedat i bëjmë kot. Nëse do një konsideratë timen është se çdo njeri ka të drejtë të konkurrojë. Nëse duan ta dëmtojnë realisht duhet ta lënë Bashën në garë vetëm. Me kë do luftojë Kadilli me mullinjtë e erës? Kjo është një garë e mbyllur, nuk ndryshon asgjë”, tha Topi.