U plagos më 21 janar/ Flet gazetari: 1 cm larg atij që u vra, na qëlluan si burracakë

Në një intervistë ekskluzive për Breaking në Top News ka folur gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës së 21 janarit ku 10 vite më parë mbetën 4 të vrarë.
Mahmutaj u shpreh se protestuesit u qëlluan në formë burracakërie dhe se Sali Berisha u mundua si e si të fshehë plagosjen e tij.
Gazetari shprehet se në dokumentet e nxjerra nga ministria e Brendshme nuk flitej aspak për dhunën ndaj gazetarëve.
“Ajo ditë do mbetet e pashlyer në jetën time, por fati më i keq ishte vrasja e 4 personave, njëri prej tyre ishte ngjitur me mua. Ata u qëlluan në formë burracakërie, kur protesta kishte mbaruar dhe protestuesit po tërhiqeshin. Autorët dihen ditën për diell se cilët e bënë, dhe ata ende janë të lirë. Nuk janë shpaguar viktimat.
Shteti kurrë nuk mund të qëllojë ndaj protestuesve. Më ka bërë çudi kur lexoja raportet e ministrisë së Brendshme, dhuna ndaj gazetarëve nuk u përmend në asnjë moment. Donin ta fshihnin si ngjarje. Prandaj kërkova azil politik për t’u larguar nga vendi. Berisha u përpoq të fshihte plagosjen time. Është fiksuar dhe në kamera që kanë qëlluar nga dritaret e kryeministrisë. Armët e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos qëlluan,” tha Mahmutaj.