Votat preferenciale të ministrave/ Testimi i 25 prillit mund të shërbejë për emrat e rinj të qeverisë Rama 3

Zgjedhjet e 25 prillit me aplikimin për herë të parë të votës preferenciale për kandidatët mund të shërbejnë edhe si një testim për kryetarët e partive të pasur një ide të qartë se kush janë emrat më të pëlqyer të në radhët e socialistëve apo dhe të demokratëve.
Kjo aq më tepër vlen për kryeministrin Edi Rama i cili me këto zgjedhje ka provuar se sa vlejnë edhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar në qarqet ku ato konkurruan. Vetë Rama në takimin e fundit me deputetët e PS-së, të zgjedhurit e rinj dhe ata aktualë paralajmëroi në fjalën e tij për ndryshime, duke i kërkuar atyre që të hapin krahun.
“Me gatishmëri maksimale duhet të nisim menjëherë një fushatë hapjeje të re të Partisë Socialiste, ku nga njëra anë duhet të krijojmë një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e kësaj familje e nga ana tjetër duhet të rirreshtojmë nga e para të gjitha forcat në terren, bazuar në rezultatet e arritura. Kush nuk e ka arritur objektivin, që nga niveli i drejtimit të organizatës, deri te niveli më i lartë organizativ, duhet t’i lërë vendin dikujt tjetër. Nga ana tjetër, kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në territor, duhet gjithashtu që t’ia lërë vendin dikujt tjetër”, tha Kryeministri Rama. Ky qëndrim mund të shihet edhe si një paralajmërim jo vetëm për rifreskimin e strukturave të partisë, si të deleguarit e qarqeve, anëtarët e Kryesisë së PS-së, të asamblesë, por edhe si busull edhe për formimin e qeverisë së re.
Ministrat më të votuar dhe më pak të votuar
Më i votuari në kabinetin “Rama” është Erjon Braçe që mban edhe postin e zv.kryeministrit. Prej disa palë zgjedhjesh Braçe kandidon në qarkun e Fierit, ai ka mundur në vota dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Braçe ka më pak se 200 vota se sa kryeministri Edi Rama, i cili është më votuari në qeveri, ku ka marrë në qarkun e Durrësit, me 15871 vota preferenciale.
Belinda Balluku që kandidoi për deputete për herë të parë është ministrja e votuar me 15366 vota. Më pas vijnë Blendi Klosi dhe Blendi Çuçi. Duhet theksuar se ministrat si Klosi dhe Çuçi ishin në vijën e kuqe të renditur në listë dhe për këta ata kanë punuar edhe që të rrëmbenin edhe votat preferenciale. Më pak e votuar nga radhët e ministrave është ajo e Bujqësisë, Milva Ekonomi. Ajo mund të jetë penalizuar dhe nga fakti se në qarkun e Durrësit kandidonte kryeministri Edi Rama, duke marrë 3739 vota preferenciale.
Më pas vjen me 4393 vota preferenciale ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Ndërkaq Pandeli Majko, ministër i Diasporës, edhe pse mori mbi 8 mijë vota nuk u zgjodh deputet i PS-së, pasi nuk ishte renditur në listën e fituesve. PS-ja në Tiranë mori 18 deputetë, Majko ishte i 19-i në listë, duke mos u zgjedhur pas më shumë se dy dekadash si deputet i Parlamentit.
Ndërsa më pak i votuari në ministrat është edhe Eduard Shalsi me 4601 vota preferenciale. Ai rrezikoi që të humbte edhe mandatin fitues në zgjedhje, pasi Fatmir Xhafaj dhe Orlando Rakipi thyhen herësin e votave dhe dolën deputetë të PS-së në parlamentin e ri.
Votat e ministrave
Fier
Erion Braçe zv/kryeministër 15622 vota
Tiranë
Belinda Balluku ministre e Energjisë 15366 vota
Arben Ahmetaj ministri i Rindërtimit 11287 vota
Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë 9115 vota
Elisa Spiropali ministre e Shtetit 8092 vota
Etilda Gjonaj ministre e Drejtësisë 7268 vota
Eduard Shalsi ministër Shtetit 4601 vota
Pandeli Majko ministri i Diasporës 8785 vota ( nuk e theu herësin e listës)
Vlorë
Anila Denaj ministre e Financave 6428 vota
Korçë
Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes 11479 vota
Olta Xhaçka ministre e Jashtme 4795 vota
Gjirokastër
Bledar Çuçi ministër i Brendshëm 11932 vota
Elbasan
Evis Kushi ministre e Arsimit 4393 vota
Durrës
Milva Ekonomi ministre e Bujqësisë 3739 vota
Berat
Blendi Klosi ministri i Turizmit 12339 vota