“Vrasjet e 21 janarit nuk ishin nga pakujdesia”, avokati i njohur: Ka pasur ekspertiza të pasakta, ja çfarë po bën SPAK

Avokati i njohur, Dorian Matlija, ishte sot në një lidhje “Skype” me emisionin “Breaking” në Top News, për të folur në lidhje me lajmin e bujshëm për rihapjen e hetimit për vrasjen e Aleks Nikës në protestën e 21 janarit 2011.
Sipas tij, dosjet që po shqyrtohen kanë pasur probleme të mëdha dhe sot është hedhur një hap përpara për zbardhjen e së vërtetës. Avokati u shpreh se vrasjet e 21 janarit nuk ishin nga pakujdesia, por me dashje.
“Për dosjen e 21 janarit ka pasur ekspertiza të pasakta. SPAK po mundohet të japë një shenjë pozitive, por procedurat janë të vështira. Tani është mundësia që të ribëhen edhe njëherë pyetjet, të pyetën njerëzit që nuk janë pyetur asnjëherë. Nuk u mor në pyetje gazetari që u plagos, i cili ishte shumë afër Hekuran Dedës që u vra. E rëndësishme për ne është e vërteta. Nga të dy dosjet do të ketë më të vërteta, si nga dosja e 21 janarit ashtu edhe e Gërdecit”, tha Matlija, i cili shtoi se “drejtësia vonon, por nuk harron”.
I pyetur nëse kësaj radhe do të kryen hetime të sakta, avokati tha se, “do të ketë vështirësi, pasi është çështje njohurish e çështje bashkëpunimesh”.
“Por të paktën e dimë se ku ti fokusojmë forcat. Do të funksionojë më mirë se më herët”, vijoi Matlija. Ky i fundit shtoi se duke parë ecurinë e hetimeve dhe nëse çështja shkon në gjykatë, edhe familjarët e viktimave të tjera, mund të nisin që të ndjekin procedurat e nevojshme për nisjen e hetimeve.
“Çështja nuk është që të rihapet dosja që ata të dënohen më rëndë, nuk mund të dënohen më rëndë ata që janë dënuar. Por mund të dalin njerëz të tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje. Mund të merren tabulatët e telefonave. Nëse dalin prova të reja, do të hapen hetimet edhe për dy viktimat e tjera, jo vetëm të emrave që janë thënë sot. Unë do të komunikoj me familjarët, pasi do të bëhet vullneti i tyre. Të finalizohet hetimi i SPAK, e kur të shkojë çështja në Gjykatë, ne do nisim procedurat. Ne jemi në dispozicion të tyre, nëse duan që të bashkëpunojnë me ne”, tha Matlija.