Zgjedhjet, Ibsen Elezi dorëzon kandidaturën për kreun e PD-së: Largimi i Bashës garanton shanse të barabarta

Ibsen Elezi bëhet i treti që zyrtarizon emrin e tij si kandidat për kryetar përballë Lulzim Bashës në Partinë Demokratike. Ai ka dorëzuar sot formularin e kandidimit pasi dje e bënë këtë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, dhe vetë kryetari Basha. Ndërkohë që sot pritet edhe ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha.

Në prononcimin për mediat Ibsen Elezi tha se vetëm duke dhënë dorëheqjen Basha mund të garantohen kërkesat e statutit të PD për shanse të barabarta në zgjedhje.

“Këto janë elementë shumë të rëndësishëm që vlejnë për të gjithë strukturën e PD. Unë dua t’ju kujtoj të gjithë drejtuesve të strukturave që të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme. Në qoftë se edhe një rast i vetëm manipulimi ndodh do të ulë imazhin e Partisë Demokratike. Çdo kandidat duhet të ketë kontroll mbi procesin zgjedhor, ky është parim themelor”, tha ai.

Lulzim Basha ka dorëzuar zyrtarisht ditën e djeshme formularin e kandidimit për kreun e kësaj partie në zgjedhjet që do të mbahen më 13 qershor. Ashtu siç pritej Basha kërkon të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike, edhe pse shumë nga demokratët janë zhgënjyer me humbjet e njëpasnjëshme të tij qoftë në betejat polikë qoftë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, e ka cilësuar dje garën si asimetrike por ka garantuar se do të sfidojë kryetarin Basha me vlerat.

Në të njëjtën linjë ishte edhe prononcimi i ish-ministres së Jashtme Edith Harxhi. Ajo tha se gara nuk është e mbështetur në rregulla, teksa premtoi reformimin e Partisë Demokratike mbi vlerat e vitit 1990.

Ndërkohë që përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryesisë së kësaj partie, grupi “Për PD”, kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin në PD, e cila u vendos më 13 qershor në Këshillin Kombëtar, i cili u mbajt ditën e diel. Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike.

Sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave. Ndërsa nesër pritet të zyrtarizohen kandidaturat nga ana e Komisionit të Zgjedhjeve në PD.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT