“A je i rekrutuar nga shërbimet serbe”, Haradinaj sqaron deklaratën për Kurtin: Na dëmtoi me gjuhën e tij në Bruksel

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur mbrëmjen e sotme për deklaratat që ka bërë në Kuvend drejtuar kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj u shpreh se nuk ka mundur të heshtë ndaj përgjithësimeve që kishte bërë, sipas tij, Albin Kurti në Bruksel për kriminelët e luftës në Ballkan.
“Kurti nuk e ndau Kosovën nga ajo deklaratë. Unë si ish-kryeministër nuk mund të mos e vlerësojë drejtë dëmin që kjo deklaratë i bënë Kosovës…Kurti foli me gjuhën e njëjtë për pjesëmarrësit në luftëra si për Mlladiqin, si për Serbinë si për mua”, tha Haradinaj në RTV Dukagjini.
Haradinaj e vlerëson deklaratën e Albin Kurtit në Bruksel, si më të keqe se ajo që kishte bërë Aleksandar Jabllanoviçi ndaj nënave gjakovare.
“Kurti në Bruksel foli me gjuhën e Serbisë. Për atë arsye ja kam bërë pyetjen “A je i rekrutuar prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa ke qenë në burg?”. Pra, për shkak të dëmit që na ka bërë gjuha e tij nga Brukseli”, u shpreh Haradinaj.