“Asnjë lobues, person apo organizatë nuk i mbron dot më, dhe jo vetëm kaq”. Si lidhet urdhëri i Biden me shpalljen “non grata” të Berishëve

A e prek Sali Berishën i cili pak kohë më parë u shpall “Non Grata”, urdhëri i fundit i presidentit Biden për bllokimet e pronave, pasurive, transaksioneve? Në një shkrim në Tema, gazetari Ylli Pata shkruan se ekziston një “lidhje e artë” mes urdhërit të Biden dhe vendimit të DASH.
Në shkresën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, theksohet se “Aktet e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri ”.
Ndërkaq, Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Joe Biden prek çdo person “të përfshirë drejtpërdrejt apo indirekt në veprime ose politika që minojnë proceset demokratike në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Urdhëri thekson se për këta persona “pronat dhe interesat e pronave në Shtetet e Bashkuara, bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen ose trajtohen ndryshe”.
“Pas këtij urdhëri, Berisha nuk do të mundet të bëjë më asnjë transaksion për të paguar një lobist, studio avokatore, një grup lobimi, apo edhe kongresmen apo senator, që do mundohet të mbrojë emrin apo figurën e tij”, – shkruan Pata.
Por urdhëri ekzekutiv i presidentit Biden shkon edhe më tej. Ata si Berisha nuk mundet të kryejnë as transaksione apo pagesa nga palë të treta, pra jo direkt nga emri i tyre, sepse edhe ata që i ndihmojnë apo mbështesin penalizohen njësoj sipas Urdhërit të sapodalë.
Kjo pengon persona apo organizata qē mund të duan të mbështesin Berishën apo persona si ai.
“Gjatë kohëve të fundit, në qarqet e mërgatës sonë në SHBA është folur shumë që në disa organizata atje janë përdorur para nga Shqipëria pikërisht për të mbrojtur Sali Berishën dhe Ilir Metën. Këtë e gjen në rrjete sociale thuajse çdo ditë, madje, për këtë kanë folur edhe media me reputacion të shqiptarëve të Amerikës” – shkruan gazetari.