Kreu i SPAK, Kraja paraqet shifrat: 746 persona nën hetim, në Vetting i gjithë personeli i SPAK

Kreu i SPAK, Arben Kraja në mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve ka raportuar lidhur me punën vjetore të Prokurorisë së Posaçme. Ai ka paraqitur një raport të hollësishëm mbi punën njëvjeçare të institucionit që ai drejton dhe pse nuk është i ngritur i plotësisht, pasi vetëm në muajin gusht është ngritur struktura e BKH-së, apo ngritja në mars të bërthamës së duhur komanduese për hetimin e ngjarjeve.

“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën “arrest në burg”, nga të cilët 257 janë ekzekutuar, ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë “arrest në mungesë”. Masa e sigurisë “arrest në burg” për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Për 28 persona është vendosur për veprën penale që lidhen me korrupsionin ndërsa për 62 persona është vendosur për veprat penale të tjera. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është vendosur për 57 persona nën hetim, ndërsa 154 persona janë hetuar me masë detyrim paraqitje, një person me ndalim i daljes jashtë shtetit, dy me garanci pasurore, dy me shtrim të përkohshëm në spitalin psikiatrik”, tha Kraja.

Gjatë fjalës së tij Kraja theksoi se i gjithë personeli i SPAK është në “Vetting”. Ai gjithashtu theksoi se që nga krijimi, SPAK është asistuar nga OPDAT dhe ICITAP. Kraja i ktheu përgjigje pyetjeve të deputetëve në lidhje me zbatimin e ligjit Antimafia të sekuestrimit të pasurive.

“Në vitin 2020 u detyruam të merreshim me praktikat që vinin nga Akti Normativ, 251 akte të tilla. Po të mos kishim aktin normativ për t’u evaduar do të kishim më shumë raste. Ato për arsye kohe që nuk janë evaduar. Të jeni të bindur ato raste që janë sekuestruar ju garantoj se në vlerë janë më të mëdha se sa janë sekuestruar ndër vite”, u shpreh Kraja.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT