Kurti takon Macron në Paris / Ja kërkesa e Presidentit francez

Presidenti francez, Emmanuel Macron i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një kompromis që do të bëjë të mundur që të dyja vendet të shtrojnë të ardhmen e tyre europiane.

Ai i bëri këto komente të mërkurën mbrëma në Paris në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që po viziton për herë të parë Parisin që kur mori detyrën në mars të këtij viti.

“I bëj thirrje Kosovës dhe Serbinë për tu angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje evropiane”, tha presidenti Macron.

“Ky është interesi i Kosovës”, tha ai duke u zotuar se Kosova do të ketë mbështetjen e Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend.

Kryeministri Kurti tha se “Europa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejt”.

“Tanimë realiteti ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj se po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel sidomos me ardhjen e presidentit amerikan (Joe Biden) dhe bisedat me udhëheqësit e shteteve evropiane, të BE-së dhe më gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, një situatë e menduar më mirë me pjesëmarrje më të artikuluara dhe drejtëpeshuara dhe një besim më të lartë”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se Franca është model për Kosovën në ndërtimin e strukturës kushtetuese, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes.

Presidenti francez është pjesë e përpjekjeve për të nxitur një marrëveshjeve normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u takuan javën e kaluar në Bruksel, por pa ndonjë përparim.

Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm, por gjykuar nga qëndrimet e tyre duket ende e largët mundësia e një marrëveshjeje që është kusht për integrimet europiane të të dyja palëve. /Zëri i Amerikës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT