LAJMI I FUNDIT/ Rikthehen vdekjet nga Covid-19, sa të infektuar u regjistruan 24 orët e fundit
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një person i prekur me koronavirus ka ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Shqipëri. Kjo është edhe viktima e parë, pas disa ditësh pa asnjë të vdekur.
“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID19 nuk e ka fituar 1 qytetare, 63 vjeç nga Saranda. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes.”, njofton ministria e Shëndetësisë.
Numri i infeksioneve të reja vijon të mbetet i ulët. Autoritetet shëndetësore raportojnë se janë kryer 2103 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 5 qytetarë.
“Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 3 raste në Shkodër, 2 raste në Tiranë.”
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19. /Gazeta SHQIP