Lefter Maliqi merr pushimet, shtyn revolucionin në vjeshtë: Ashtu si bien gjethet do të rrëzohet dhe regjimi i Rilindjes

Lefter Maliqi ndodhet jashtë Parlamentit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kandidoi me LSI-në, por ishte i renditur jo në vendet e para të listës, edhe pse kjo forcë politike nuk mori asnjë mandat në qarkun e Beratit.
Ai ka postuar një foto të vjetër të Parlamentit, ku Maliqi asaj kohe tregonte grushtat ndaj mazhorancës. Në postimin në Facebook ai shkruan se e njëjta situatë është edhe pas 25 prillit.
“Një përballje e pazakontë në Parlament. Një përballje me forcën e makinerisë së kalbur shtetërore që si një gjigand prej rëre, duket i fortë e hijerëndë kur e sheh, por shkërmoqet në puhizën e parë që sjell një dallgë. Dallga e revoltave popullore do shkermoqë këta specialistë të dukjes e mashtrimit, që nuk janë as socialistë”, shkruan Maliqi.
Ai i cilëson socialistët si specialistë dhe protestat do të nisin në vjeshtë, duke kërkuar gjithashtu edhe një bashkim të opozitës.
“Specialistë e jo socialistë, sepse nuk prononcohen as sot kur Shqipëria sërisht rrëzohet e mbetet pa negociata me BE-në. Shqipëria nuk iu dhimbset, kurse ata vetë nuk rrëzohen pa kurajo, përballje, mobilizim, bashkim. Do mbarojë kjo verë e thatë, e në vjeshtë, ashtu si bien gjethet duhet të bjerë dhe regjimi mafioz diktatorial i Rilindjes. Atëherë, pak nga pak do fillojë të ngrihet Shqipëria e të ndrisè dielli i saj”, shkruan Maliqi .