Në mes tyre dhe Vuçiç/ Organizata kosovare u kërkon SHBA-së dhe BE-së që të shpallen “non grata” përkrahësit e Mladiçit

“Përkrahësit e Ratko Mlladiçit të shpallen ‘persona non-grata’”, kjo është një kërkesë që u është drejtuar së fundmi SHBA-së dhe BE-së.
Këtë kërkesë e ka drejtuar qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, transmeton Zeri.info. “Aleksandar Vuçiç, Ivica Daçiç, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiç dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe dhe të atyre në Republikën Serbska në Bosnjë janë mentorët dhe pasuesit ideologjikë të Ratko Mlladiçit. Megjithëse i vonuar, dënimi me burg të përjetshëm i Ratko Mlladiqit simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet. Mirëpo dënimet e kësaj natyre kanë për funksion edhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla”, thuhet në komunikatën e kësaj qendre.
Ata më tej thonë se fatkeqësisht reagimet e bartësve të institucioneve në Serbi dhe në Republikën Serbe, që ishte produkt i këtij gjenocidi, dëshmojnë të kundërtën. “Aleksandar Vuçiç, Ivica Daçiç Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiç dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe vazhdojnë të mohojnë gjenocidin dhe të madhërojnë kriminelin Ratko Mlladiq. Është moment tejet i rëndësishëm që SHBA-të dhe BE-ja të shpallë ‘persona non grata’ të gjithë mentorët, pasuesit ideologjikë dhe mohuesit e gjenocidit, sepse heshtja e vendeve demokratike përballë kësaj arrogance që del në përkrahje të krimeve të kryera mund t’i inkurajojë që të përsërisin krimet”, thuhet në komunikatë.