Pas konfliktit me Dritan Lelin/ Rama hap sot dyert e teatrit ‘Petro Marko’, mblidhet asambleja e PS

Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot në Vlorë do të hapë sot dyert e teatrit ‘Petro Marko’. Pikërisht në këtë teatër do të zhvillojë mbledhjen me strukturat e PS së Vlorës.
Do të marrin pjesë deputetët aktualë, deputetët e sapozgjedhur dhe të gjithë këshilltarët e bashkisë Vlorë si dhe kryesia e PS dhe kryetarët e PS në njësitë administrative të bashkisë
Prej javësh teatri ‘Petro Marko’ është kthyer në një pikë debati mes kryebashkiakut Leli dhe këshillit bashkiak të Vlorës, pasi këto të fundit kërkojnë të organizojnë mbledhje fizike aty, ndërsa Leli nuk e lejon këtë gjë me arsyetimin se nuk mund të bëhet për shkak të rregullave të vendosura për pandeminë.
Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Vlorë ku ka inspektuar punimet që po bëhen në këtë qytet, por ajo që ka rënë në sy është se ka shmangur takimet e tij me kryebashkiakun Dritan Leli. Rama ka qenë i shoqëruar gjatë inspektimeve nga nënkryetari i bashkisë, Afrim Qëndro. Po përtej shmangies së kontaktit me Lelin, Rama ka injoruar edhe vendim e tij në lidhje me mos hapjen e teatrit ‘Petro Marko’ për takimin me PS.
Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nuk janë aspak të mira, pasi ky i fundit nuk pranoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.