Pilotët e vdekjes, vrasin sërish

Robert Hasa

Shqipëria u zgjua sot nga një lajm tronditës një familje prej 4 anëtarësh humbën jetën si pasojë e një aksidenti fatal të ndodhur në autostradën Levan-Vlorë. Makina e zezë ku brenda ishin 3 të rinj me një shpejtësi skëterrë 200 km/h përplasi makinë “Toyota” brenda së cilës gjendeshin 4 pjesëtarët e familjes Gushi, të sapo kthyer nga Greqia.

Eduarti me Silvanën 44 dhe 33 vjeç, si edhe dy vajzat e tyre, Anastasia dhe Eva njëra 14 dhe tjetra 9 vjeçe nuk janë më. Jeta e tyre, ende e pa nisur mirë, iu ndërpre në mes nga goditja fatale e makinës së zezë të vdekjes.

Tre të rinjtë, u kthyen sot në “pilotët e vdekjes”, shkaktarë që një familje të shuhet tërësisht. Tre të rinjtë që udhëtonin brenda makinës luksoze, e cila duhet të jetë bërë dhuratë nga baballarët e tyre, janë sot edhe shembulli i asaj që po përjetojmë çdo ditë në çdo qytet të Shqipërisë. Të asaj adoleshentët qarkullojnë me makina të markave të fundit dhe nuk ngurrojnë të bëjnë gara makina, duke na kujtuar skenat e filmit “Fast&Furios”.

Të etur për famë, ato kryejnë veprime të shfrenuara duke na rrezikuar jetën  çdo ditë secilit prej nesh. Jeta në Shqipëri çdo ditë e më shumë po vlen pak pasi aty ku tabela rrugore të kërkon që të mos i kalosh 60 kilometra, “pilotët e vdekjes” nuk pyesin, por fluturojnë në rrugë me mbi 200 kilometra në orë.

Kjo thyerje e çdo rregulli vjen si pasojë e parasë dhe krahëve të ngrohta që kanë shkelësit e ligjit falë njohjeve të tyre, apo prindërve të kamur, duke i bërë ato të paprekshëm. Nuk janë të pakta rastet kur ngjarjet e rënda të aksidenteve, janë harruar nga gjykatat, ku policët, gjyqtarët e prokurorët pasi korruptohen, i nxjerrin fajtorët të pafajshëm, me një dënim të lehtë apo u nxjerrë nga burgu.

Shifrat janë ulëritëse në Shqipëri, në vitin 2019 humbën jetën 227 persona nga aksidentet, sipas të dhënave të INSTAT. Në raport me popullsinë, vendi shënoi 80 fatalitete nga aksidentet rrugore për 1 milionë banorë. Në muajin Mars 2021 numërohen 119 aksidente rrugore nga 65 aksidente të ndodhura në muajin Mars 2020, duke u rritur me 83,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duhet theksuar se vitin e kaluar Shqipëria ishte e bllokuar, por nuk mungonin aksidentet.

Këto shifra e rendisin Shqipërinë ndër vendet me vdekjet më të larta nga aksidentet rrugore në raport me popullsisë dhe gati 60% më të larta sesa mesatarja europiane, sipas të dhënave të tjera të EUROSTAT.

Një familje u shua, dy engjëjve iu pre jeta ende pa nisur mirë dhe ne akoma do të dëgjojmë nga goja e ekspertëve dhe zyrtarëve se “aksidentet ndodhin kudo”, por “Stop”, mjaft më, ky argument justifikues duhet të ndalet së përdoruri një herë e mirë./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT