Qeveria, 9 milionë dollarë shpenzim për prishjen e hotelit-gërmadhë në Vlorë

Qeveria shqiptare ka blerë për 9 milionë dollarë një hotel-gërmadhë në qendër të Vlorës, i cili më pas do të shembet.
Bëhet fjalë për hotelin 15 katësh në pronësi të biznesmenit Sulo Shehu, i vendosur në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Shkak për prishjen e kësaj ndërtese është projekti i rikonstruksionit të plotë të sheshit të Flamurit.
Ndërtimi i godinës ka nisur që para viteve 1990. Më pas, ndërtesa u ble nga biznesmeni Sulo Shehu për t’u shndërruar në hotel, por edhe pse kaluan shumë vite, ajo nuk u ndërtua asnjëherë, derisa hyri qeveria në mes.
Sipas MCNTV, idenenë që shteti të blejë karabinanë në mes të Vlorës, e më pas ta shembë, e ka prezantuar një studio private. Pas këtij propozimi bashkia e Vlorës nisi procedurat për të caktuar çmimin e blerjes së bashku me institutin e ndërtimit.
Më vonë bashkia u tërhoq dhe në lojë hyri Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Shpenzimet për blerjen e hotelit që më pas do të shembet për t’i hapur rrugë projektit për rigjenerimin e sheshit të Vlorës, u morën përsipër nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.