Rama zgjedh Durrësin, kush është deputetja e komunitetit çam që do të futet në Kuvend

Pas 8 vitesh deputet në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka vendosur që ta “braktisë” qytetin bregedetar, për të përfaqësuar në Kuvend Durrësin legjistlaturën e ardhshme.
Duke qenë se fitoi mandatin në dy qarqet, kryeministri vendosi të zgjedhe Durrësin, pas dy mandatesh deputet i Vlorës.
Kjo do të thotë që mandatin e Ramës në Vlorë e merr Teuta Ramaj, e cila renditej e 9-a në listën e Partisë Socialiste në këtë qark.
Referuar të dhënave zyrtare të KQZ, Teuta Ramaj ka arritur të sigurojë 1738 vota personale në zgjedhjet e 25 prillit.
Kryeministri “dogji” kështu Ana Dhamon, kandidaten socialiste që renditej e 9-ta në Durrës.
Kush është Teuta Ramaj
Teuta Ramaj ka lindur në Vlorë më 25/12/1982. Në vitin 2014 ka kryer studimet në UV “Ismail Qemali” Vlorë (departamenti i mësuesisë) Master i Shkencave në Mësimdhënie e Gjuhës Shqipe dhe Letërsi.
Në profilin e saj në Facebook thuhet se ajo në këtë fushatë elektorale iu bashkua ekipit socialist, “si kandidatja e komunitetit çam për deputete me numrin nëntë nën siglën e Partisë Socialiste“. /Gazeta SHQIP