Shqipëria u dha medalje nderi për patrullimin në kufirin me Greqinë, por vetë BE i shpall krejtësisht të paaftë për detyrat që u ka ngarkuar

FRONTEX, Agjencia e BE-së për kufirin dhe rojen bregdetare është një dështim i plotë, sipas Gjykatës Europiane të Audituesve.
Gjykata ka konstatuar paaftësinë e kësaj njësie në përmbushjen e detyrave që i janë caktuar pesë vjet më parë, teksa aktualisht asaj po i ngarkohen misione të reja si deportimi i imigrantëve.
Gjykata ka çmuar se vendimi i KE-së në vitin 2016 për ta shndërruar FRONTEX në agjenci europiane për Kufirin dhe Rojen Bregdetare nuk është i përshtatshëm për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar.
Në vitin 2019 Komisioni Europian vendosi që FRONTEX të arrijë deri në 10 000 policë deri në vitin 2027 nga 45 që kishte në vitin 2005 duke lejuar dislokimin e këtyre rojeve kufitare në vendet jashtë BE-së.
“Mendoj se njësi iu nënshtrua ndryshimeve shumë shpejt dhe tani po paguajnë çmimin e kësaj”
është shprehur drejtuesi i ekipit auditues, Leo Brincat.
Raporti vjen ndërkohë që në disa media të Europës janë publikuar raportime për shkelje të rënda nga njësia në fjalë të legjislacionit mbi lëvizjen ndërkufitare dhe azilin.
Prej 2019 oficerët e FRONTEX gjenden edhe në Shqipëri pas një marrëveshje të qeverisë shqiptare me BE. Ata patrullojnë kufirin e gjelbër mea Greqisë dhe Shqipërisë.
Megjithëse vetë institucionet e BE e quajnë tashmë të dështuar këtë njësi, Shqipëria i ka konsideruar disa herë “një histori suksesi dhe një hap drejt BE”. Madje në majin e këtij viti oficerët e FRONTEX në Shqipëri u dekoruan me medalje nderi.