“S’na intereson konflikti i ngrirë me Kosovën”, Vuçiç shuan iluzionet e deputetëve serbë
“Serbisë nuk i leverdis një konflikt i ngrirë me Kosovën dhe një kompromis duhet gjetur”. Me këto fjalë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç prezantoi para parlamentit vendas raportin vjetor në lidhje me ecurinë e dialogut me Kosovën.
Vuçiç pranoi se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës ky dialog është vështirësuar, por u premtoi deputetëve se qëndrimi i tij ka qenë i palëkundur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të Kuvendit të Serbisë.
Presidenti serb tha se vetë nuk ishte në gjendje që t’u jepte një përgjigje se cila ishte zgjidhja që mendonte, por akuzoi palën kosovare se nuk po zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani nga ky dialog.
“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Europian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për ta përmbushur atë për të cilën është rënë dakord”, tha ai.
Vuçiç u tha deputetëve që të mos mbajnë shpresa se fuqitë e mëdha perëndimore, si Gjermania, Britania e Madhe, Franca apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndryshojnë mendje dhe të heqin dorë nga njohja e Kosovës si shtet të pavarur.
“Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës ato pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Ne nuk kemi detyrë të lehtë, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiç.