“UÇK kreu kríme pas luftës”, Media zvicerane publikojnë intervistën e ministres së Jashtme të Kosovës, Gërvalla: Vuri në gojën time një pohim të rremë

Një media zvicerane publikoi një intervistë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Sipas kësaj interviste, kryediplomatja e Kosovës ka pranuar se UÇK ka kryer krime pas çlirimit.

Menjëherë pas këtij lajmi, Donika Gërvalla ka akuzuar një media zvicerane se i ka deformuar fjalët që ka thënë.

Përmes një shkrimi në Twitter, kryediplomatja kosovare, ka thënë se “NZZ” ka publikuar pohim të rremë për UÇK-në, kur ka thënë se ka kryer krime të pasluftës.

“NZZ publikoi pohimin e rremë se UÇK-ja bëri vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë, jo nga UÇK-ja”, ka shkruar ajo.

Gërvalla me tej shkruan se UÇK-ja dhe FARK-u kanë shpëtuar civilë të pafajshëm gjatë luftës nga asgjësimi serb.

“Gjatë gjenocidit në Kosovë, burra dhe gra të panumërta të UÇK-së, FARK-ut dhe të tjerët sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar civilë të pafajshëm nga asgjësimi serb. Liria e medias gjithmonë duhet të mbrohet. Por kështu është e vërteta”, ka shkruar Gërvalla.

Publikimi i kësaj interviste e ka vënë ministren e Jashtme të Kosovës në qendër të sulmeve të opozitës dhe mediave, ku një pjesë kanë kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT