Arrestimi i kryebashkiakut Tushe, paralajmëron kreu i SPAK: Ky është vetëm fillimi, jo fundi

Kreu i prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja në diskutimin e tij në konferencën “Forcimi i drejtësisë penale nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”, ka paralajmëruar të tjera arrestime të zyrtarëve të korruptuar.

Duke paraqitur një ekspoze të shkurtër të punës së tij, Kraja u ndal edhe te arrestimet e fundit të kryera në bashkinë e Lushnjës, ku prangosën kryebashkiakun Fatos Tushe dhe 10 drejtues lokalë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe për abuzime me tenderat.

“Hetim i rasteve ndaj zyrtarëve të lartë, ato që ndodhen ditët e fundit, janë ngjarje publike nuk është fundi është vetëm fillimi, e puna jonë do të vazhdojë me të njëjtën përparësi. Lufta kundër krimit të organizuar, kundër shkelësve dhe abuzuesve të fondeve publike, trafiqe të paligjshme janë përparësi. Puna jonë mbaron kur kemi një vendim të prerë të gjykatës, ky është gjykimi dhe vlerësimi jonë”, tha Kraja gjatë fjalës së tij.

Gjithashtu ai kërkoi që t’i vihen sa më shumë hapësira në dispozicion, duke kërkuar një godinë shtesë për punonjësit e BKH-së. Sipas tij hapësirat aktuale janë të ngushta dhe që pengojnë në kryerjen e punës së BKH-së, e cila do të ketë 32 hetues specialë gjithsej.

“BKH është drejt konsolidimit. Grupi i parë fillon punë në muajin gusht, deri në fund të vitit të kemi zgjedhur numrin prej 32 personash. Një shqetësim, duhet një hapësirë vendosje për BKH, është e vogël,duhet një hapësirë punë të nevojshme për grupin, se janë të vogla’, tha Kraja.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT