Celularët, çfarë po ndodh me Policinë e Shtetit? Ja kujt po tentohet t’i besohet shërbimi

Reth 12 mijë numra të celularëve të efektivëve të Policisë së Shtetit do të kalojnë nga kompania Vodafone në One.
Ky është një vendim i Policisë së Shtetit, pasi kontrata mes kompanisë Vodafone dhe Ministrisë së Brendshme përfundoi një muaj më parë, pas 14 viteve bashkëpunim.
Ministria ka vendosur që të mos bëjë më kontrata kolektive me kompaninë Vodafone, e cila u siguronte të gjithë punonjësve të ministrisë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit tarifa më të ulta.
Sipas Exit News, është shqetësues fakti se pronari kryesor i One është biznesmeni bullgar Spas Roussev, i cili dyshohet se ka lidhje me mafian bullgare dhe rrjete të tjera kriminale, ndërkohë që është i dyshuari kryesor për manipulimin e një ankadni në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe pse këto dyshime nuk janë të provuara, kalimi i telefonisë dhe komunikimeve të Policisë së Shtetit, përfshi aksesin në bazat e të dhënave kriminale tek One, duhet të ngrejë shqetësime serioze.
Për më shumë se 14 vjet, Policia e Shtetit ka marrë një shërbim të sigurt, pa rrjedhje dhe probleme sigurie, por tashmë po zgjedh që të hyjë në një marrëdhënie të pasigurt, me një operator mbi të cilin ka hije dyshimi.
Mbi të gjitha, kontrata kolektive nuk është prokurim publik—telefonat e punonjësve të policisë nuk paguhen nga buxheti publik por nga vetë punonjësit e policisë. Për këtë arsye konsideratat e besueshmërisë dhe sigurisë së shërbimit duhet të jenë konsideratat kryesore të Policisë së sShtetit.