“Dy gabime në interpretimin e Kushtetueses”, Manjani: Vendimi edhe mund të ketë mbyllur 100 % listat

Ylli Manjani e cilëson të gabuar dhe nxituar interpetimin që i është bërë vendimit ende të paarsyetuar të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë.
Kushtetuesja rrëzoi pjesërisht nenin që ka të bëjë me herësin në shpërndarjen e mandateve.
“Nuk është profesionalisht korrekt të komentohet një vendim ende i pa arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese. Gabimi në koment mund të jetë shumë i madh nëse nisemi thjesht nga dispozitivi i vendimit. Deri tani dimë se Gjykata ka shfuqizuar pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor. Por ai nen ka eehe 3 paragrafë të tjerë që nëse lexohen pa pikën 3, del që listat nuk janë të hapura 100%, siç nxitojnë komentuesit publike. Përkundrazi heqja e pikës 3 i mbyll listat me 100 për qind. Ja pra një gabim që bëhet nga leximi i cunguar”, shkruan ai.
Ish ministri i drejtësisë thotë se gabimi i dytë i madh është tendenca për ta zbatuar këtë vendim të Kushtetueses te rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit.
“Është gabim ky arsyetim sepse ne ende nuk e dimë vullnetin e Gjykatës për t’i dhënë, apo jo fuqi prapavepruese vendimit të saj. Zakonisht vendimet e Gjykatës nuk kanë fuqi prapavepruese. Ndaj të mos nxitohemi. Të presim zbardhjen e atij vendimi. Përndryshe gabimet janë të pashmangshme. Janë gabine që keqorientojnë opinionin publik, për fat të keq”, mbyll reagimin e tij Manjani.