Fati i 30 qershorit, caktohet data kur ‘Venecia’ do shqyrtojë kërkesën e Kushtetueses për zgjedhjet

Komisioni i Venecias ka administruar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, të dërguar në 9 korrik të këtij viti.
Në një njoftim në faqen zyrtare të tij, Komisioni njofton se kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet më 14 tetor 2021.
“Më 9 korrik 2021, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri kërkoi një opinion për të adresuar në veçanti juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, në marrëdhënie me zgjedhjet lokale të vitit 2019. Drafti duhet të paraqitet për miratim nga seanca e 128-të plenare e Komisionit të Venecias. Çështja do të shqyrtohet nga data 14-16 tetor”- njofton Komisioni i Venecias.
Në 23 qershor, Gjykata Kushtetuese pezulloi gjykimin dhe vendosi ti drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershori në 2019.
Krahas kësaj, Gjykata Kushtetuese u kërkoi palëve të interesuara t’i drejtojnë nga një pyetje Komisionit të Venecias.
Vetëm pas marrjes së opinionit të Venecias, Kushtetuesja do të rishqyrtojë 30 qershorin.