“Jemi në 10 vendet e para…”/ Rama tregon tre prioritetet e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit: Kemi çfarë tregojmë

Shqipëria është zgjedhur anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një moment që mund të quhet historik, pasi shënon herën e parë të përzgjedhjes në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë pritjes zyrtare të organizuar në Tiranë, ku të pranishëm ishin zyrtarë dhe diplomat të huaj, Rama e quajti një arritje të Shqipërisë anëtarësimin në Këshillin e Sigurimin.

Kryeministri foli edhe për agjendën e Shqipërisë, ku në fokus do jetë barazia gjinore.

“Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshmë në Këshillin e Sigurimit të OKB, është arritja më e madhë në diplomacinë shqiptare.

Kjo e Shqipërisë është një arritje domëthenëse edhe për Ballkanin Perëndimor. Pas kryesimit të OSBE, ku u vlerësuam pozitivisht dhe lamë përshtypje shumë të mirë, që e dëgjon edhe sot, them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit konfirmon një standard të ri dhe respektin ndërkombëar për Shqipërinë. I falenderoj të gjitha shtetet që na mbështeten.

Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë dhe për të bërë më shumë.  Kjo dekadë do bëhet dekada e ngjitjes në një majë ku dielli do shkëlqejë jo vetëm për një pjesë, por për të gjithë shqiptarët.

Është më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE sesa telat me gjëmba, brenda të cilëve ishte ky vend ku u anëtarësua në Kombet e Bashkuara.

Në Këshillin e Sigurimit nuk shkojmë për t’u ulur në një karrige, por me një axhendë prioritetesh. Shqipëria do fokusohet në çështjet e barazisë gjinore si një vend që ka të drejtën jo vetëm ta thotë fjalën, por sepse është një vend I renditur në 10 vendet e para në botë në klasifikimin e OKB përsa I përket barazisë gjinore në qeveri. Por jo vetëm në qeveri.”, tha Rama.

Rama tha se në fokus do të jenë edhe të drejtat e njeriut, për të cilat, kryeministri tha se Shqipëria është një shembull.

“Mbrojtja e të drejtave të njeriut promovon bashkëpunim dhe paqe mes vendeve”, tha Rama.

Një pikë tjetër ku do fokusohet Shqipëria do jetë edhe toleranca fetare, për të cilën vendin ynë merret si shembull.

“Shqipëria ka të drejtën të dëgjohet kur vjen puna për tolerancën e plotë fetare dhe harmoninë mes besimeve të ndryshme, çka për ne është themel  promovimit të paqes dhe mbështetjes tonë në luftën kundër terrorizmit.  JEmi në pozicionin e duhur për të mbrojtur me forcë idenë se çdo formë e re e relativizimit të antisemitizmit apo çdo formë tjetër e diskriminimit të myslimanëve janë krejt të papranueshme dhe e kërcënojnë stabilitetin e demokracive tona”, tha Rama./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT