Kurti viziton Athinën, i kërkon Mitsotakis njohjen e Kosovës

Albin Kurti është pritur në një takim në Athinë nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se në këtë takim, Kurti i ka shprehur homologut grek dëshirën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët, tha kryeministri Kurti.
Kurti ka falënderuar për mbështetjen dhe për qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti kërkoi që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.
Kryeministri Kurti njoftoi homologun e tij grek mbi të arriturat e qeverisjes së re në Kosovë në këto 100 ditë të para, përfshirë këtu menaxhimin e mirë të pandemisë. Në këtë takim, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për shtimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike Kosovë-Greqi.