LAJMI I FUNDIT/ Vijon të rritet numri i të infektuarve me covid në Shqipëri, sa raste u regjistruan sot

Numri i të infektuarve me covid ka njohur sërish rritje gjatë 24 orëve të fundit. Nga 7 raste të reja që u regjistruan dje, sot ministria e Shëndetësisë raportoi 13 të infektuar.
“Në 24 orët e fundit janë kryer 2007 testime, nga të cilat ka rezultuar pozitiv me Covid19, 13 qytetarë, në këto bashki: 3 raste në Lushnje, 2 raste në Korçë, Elbasan, Rrogozhinë, nga 1 rast në Fier, Tropojë, Gjirokastër, Rosokovec”
Lajmi i mirë është se nuk është regjistruar asnjë i vdekur, ndërsa aktualisht janë 66 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
3 të shtruar në spital dhe 2 të shëruar
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë.
Autoritetet raportojnë se janë shëruar 2 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,035 që nga fillimi i epidemisë.
Apeli
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se përhapja e variantit Delta në shtetet e rajonit dhe më gjerë, ka vendosur në alert të shtuar strukturat e shëndetësisë në territor, ku po ndiqet me shumë kujdes situata, për identifikimin e varianteve të reja si dhe për izolimin në kohë të çdo rasti të dyshuar me Sars-Cov2. Në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën sërish apel qytetarëve, që të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19 dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes. Për çdo dyshim, kontaktoni me mjekun tuaj të familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127./Gazeta SHQIP