Meta takon zv.kryeministrin e Malit të Zi, ja çfarë diskutoi presidenti me Dritan Abazoviç

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai është takuar me presidentin Ilir Meta, i cili në një deklaratë të presidencës thuhet se e përgëzoi Abazoviç për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.
“Meta shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit. Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të veçantë disa projekteve konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë: hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skejë – Zogaj, rindërtimi i i shkollës së djegur në fshatit Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin “Buna”, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes se shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.