“Neveri e turp”/ Rama i ashpër me drejtuesit e policisë: Po kapni ca fshatarë në zona të humbura, por…

Kreu i qeverisë, Edi Rama, u tregua i prerë me drejtuesit e policisë vendore, teksa ka thënë se krimi i ndërtimeve pa leje bëhet në sy të tyre.

Në një takim me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, Rama deklaroi se disa nga drejtuesit kryesor të Policisë së Shtetit në nivel vendor nuk e kanë përvetësuar akoma plotësisht misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt.

“Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin edhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupin e njëri-tjetrit në mes të natës, por ama nga ana tjetër nuk mundem dot të ndahem nga opinioni publik, kur Policia e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie, pas mesnatës, që mbaron me plumba. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit.

Shikojmë me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit kryesor të saj në nivel vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada ndarja e Policisë së Shtetit nga ky mision. Ne e kemi njësuar këtë mision me Policinë e Shtetit në të gjithë aspektet e cënimit të pronës publike dhe të mjedisit. Për cilën arsye në botë ne duhet të kemi akoma shfaqje të ndërtimeve pa leje? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi në krim.

Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, për një gardh, për një mur, dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike.

Megjithëse në mënyrë të përsëritur e kemi nënvizuar, që është e turpshme, e frikshme, e pagëlltitshme, që strukturat e policisë në territor të shpenzojnë energji, kilometra, kohë për të shkuar e për të futur në telashe e ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë, ndërkohë që para syve të tyre dhe me miratimin e pjesëmarrjen e tyre në korrupsion hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë. Kultivohen puçrra me qelb në trupin e bukur të Shqipërisë.

Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton. Çfarë bën Policia e Shtetit në ato kuadrate që janë të ndara qartësisht mes komisariateve? Kthen sytë nga ana tjetër. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër. Emri është korrupsion, ryshfet, bakshish, neveri, shëmti!”, u shpreh kryeministri Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT