NJË KISHË E RE GREKE NË TIRANË

Nga Atë Foti Cici

Shefi i shërbimeve të posaçme greke në Shqipëri dhe kandidati për President i Greqisë (2015), kryepeshkopi antishqiptar Anastasios Janullatos, pra, njoftoi dje se së shpejti do të fillojnë punimet për ndërtimin e kishës së re të Shën Prokopit në Tiranë.

Z. Janullatos tha se “projekti arkitektonik është gati; nuk na lejohet ta bëjmë më të madhe nga kisha e vjetër, sepse ka kufizime në hapësirën e parkut, por do ta bëjmë më të lartë, sigurisht shumë më të bukur dhe nuk do të ketë fasadën që na imponuan italianët”, duke përfolur kështu projektin e inxhinierit arkitekt të diplomuar në Austri në vitet 1930, Skënder K. Luarasi.

Projekti arkitektonik i kishës së Shën Prokopit mbahet i fshehtë nga besimtarët, në një kohë kur kudo gjetkë projektet e kishave të reja publikohen para se të nisin ndërtimet.

Në qoftë se nuk ka hile dhe tinëzi, përse të mos dalë një foto e projektit të kishës së re të Shën Prokopit në Tiranë, aq më tepër me mundësitë dhe lehtësinë e sotme mediatike të KOASh-it?

E vërteta është se kjo kishë është konceptuar si një tempull me tipare, ngjyra, mbishkrime dhe simbolikë greke, njësoj si katedralja e re në Tiranë.

Çështjen e emërshkrimeve të ikonografisë e pranon dhe vetë KOASh-i se është një shkelje e traditës ortodokse, prandaj dhe në postimet e tyre në Facebook ikonat gjithmonë kompjuterizohen me emra shqip.

Nëse emërshkrimet greqisht, të cilat mbulojnë mbi 95% të ikonografisë në kishat e reja këta tre dhjetëvjeçarë, janë të drejta dhe të mbara, përse të mos t’i nxjerrin njësoj greqisht edhe në postimet e tyre në Facebook, por i përçudnojnë në kompjuter për t’iu hedhur hi në sy shqiptarëve?

Mbishkrimet greqisht në kishat e vjetra shqiptare janë i vetmi argument që përdor kisha greke për “grekësinë” e shqiptarëve ortodoksë ndër shekuj, në një kohë kur gjuha greke në mbishkrimet kishtare dhe në arsimin e ortodoksëve ishte e detyruar me ligj perandorak gjatë pushtimit turk. Ato zëra që guxonin të thoshnin të vërtetën, mbyteshin.

E njëjta gjë ndodh edhe sot, edhe pse gjuha shqipe nuk është më e ndaluar nga shteti dhe nga kisha, duke vijuar mitet e rreme, për të përjetësuar një gënjeshtër të madhe, se ortodoksët në Shqipëri janë grekë, ashtu siç paskan edhe kishat e tyre, me tipare dhe gjuhë greke.
Edhe apo pak emëshkrime shqip në ikonografinë e këtyre tre dhjetëvjeçarëve, nuk kanë fuqi t’i bëjnë ballë shkombëtarizimit të komunitetit ortodoks, sepse paraqesin një gjuhë të dytësuar, si gjest mëshire dhe bujarie të Janullatosit!

Ashtu siç ndodhi me katedralen e re në Tiranë, kur menjëherë pas përurimit të saj nisi dhe përdorimi i rregullt greqisht, njësoj do të vazhdojë edhe në kishën e re të Shën Prokopit!

Siç e kam ngritur këtë çështje edhe më parë, në kishën e Shën Prokopit fëmijtë i mëkojnë greqisht (shih postimin përkatës në fund). Për shumë vjet në atë kishë po punon me përkushtim një prift nga familje myslimane, ashtu siç janë (nga familje myslimane) mbi 95% e agjenturës greke në klerin e kishave tona në gjithë Shqipërinë.

* * *

Nëse rrimë shtrembër e flasim drejt, e vetmja gjuhë që mund të dytësohej pas shqipes në ikonografinë e kishës së re të Shën Prokopit, është arumanishtja: kisha e parë e Shën Prokopit u ndërtua gjatë pushtimit turk me para kryesisht nga bashkësia vllahe e Tiranës. Kjo është e vërteta historike, pavarësisht se vllehtë nuk kanë sot personalitete të fuqishme për të kërkuar diçka të tillë nga Janullatosi, por janë përndarë për interesa rrethanore midis Greqisë dhe Rumanisë.

Nga këndvështrimi shqiptar, greqishtja nuk ka më vend në kishat tona, sepse në Kishën Ortodokse mbishkrimet paraqiten në gjuhën e besimtarëve, ashtu si në kishat e vendeve fqinje, atje ku popujt janë shumë më lart se shqiptarët, të cilët këta të fundit e shesin gjuhën, kulturën, fenë dhe identitetin e tyre kombëtar dhe madje shumë lirë!

Mbishkrimet dhe simbolika greke në ndërtimin dhe rindërtimin e kishave të reja këta tridhjetë vjet është shumë e dukshme, si pjesë e projektit të shkombëtarizimit të komunitetit ortodoks, gjë që jo vetëm ka dëbuar nga kisha pjesën më të madhe të shqiptarëve ortodoksë, por ka ftuar dhe do të thërrasë në histori grekët që të vijnë në Shqipëri për të parë, prekur e mëtuar “pjesën” e tyre!

Nëse Janullatosi është klerik besimtar dhe jo agjent i shërbimeve të posaçme greke në Shqipëri me petkun e kryepeshkopit, ai ka rastin që projektin e fundit të pranisë së tij në KOASh ta bëjë ashtu siç duhet: një kishë me arkitekturë, simbolikë, ngjyra dhe gjuhë vendore! Kjo do ta ndihmonte paksa edhe figurën e tij përndryshe të urryer në gjithë hapësirën shqiptare!

Përderisa Janullatosi ka bërë katedralen e Tiranës krejt greke në çdo këndvështrim, atje ku ka planifikuar edhe varrin e vet, përse kisha e Shën Prokopit të mos bëhet shqiptare dhe madje me varrin e Kryepeshkopit martir Kristofor Kisi në kungën e saj, i cili ka tridhjetë vjet i shpërnjohur nga kryepeshkopi i sotëm antishqiptar në varrezat e Sharrës, atje ku e ndëshkoi regjimi ateist?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT