“Nuk kam marrë bakshishe”/ Mjekët: S’është e drejtë të na trajtojnë si kriminelë ordinerë

Mjekët që protestojnë shprehen gjithashtu se problemi në vendin tonë është sistemi dhe se zgjidhja nuk është kjo mënyrë. Njëkohësisht ata kanë kërkuar që të mos trajtohen si kriminelë, pasi arrestimi i dy kolegëve Memini dhe Sulaj, nuk zgjidh problemin e korrupsionit.
Pikërisht kjo temë u diskutua sot në studion e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, ku të ftuar ishin mjekët e njohur Ilir Allkja dhe Edmond Stojku. Që të dy ishin në të njëjtën linjë, që arrestimi i mjekëve është i padrejtë për aq kohë sa nuk fakte.
Allkja u shpreh se në “Shqipëri jemi në atë rend ku kryeministri i vendit, Edi Rama, ka thënë se dhuratat i pranoj”.
“Ryshfet do të thotë kushtëzimin e mjekimit kundrejt parave. Bakshish një lloj shpërblimi. Në Shqipëri jemi në atë rend ku Rama ka thënë se dhuratat i pranoj.
Personalisht unë kam marrë dhurata nga kushërinjtë e mi, të afërt dhe miq që u kam kryer shërbime mjekësore jashtë orarit të punës. Nuk ka asnjë rast që unë të kem kërkuara para për shërbimin. Më kanë dhënë bakshish, por personalisht e kam quajtur jo të drejtë që të pranoj bakshishe nga të varfrit. Për mua është i padrejtë arrestimi, pasi mbështetet në disa përgjime telefonike dhe nuk ka fakte konkrete”, tha ai.
Nga ana tjetër, Stojku u shpreh se është dakord që “mitmarrja është e paligjshme dhe dënohet nga ligji”. Por shton se arrestimi i Meminit dhe Sulajt është e padrejtë.
“Edhe arrest shtëpie do të ishte e tepërt për mua. Mjekët janë elita e shoqërisë, që kanë në dorë jetën që është gjëja më e shtrenjtë për njeriun. Si ka mundësi të jenë të detyruar të izolohen deri në burg për një shkelje ligjore që mund të ndiqen edhe të lirë.
Nuk diskutohet nëse është ryshfet se e parashikon ligji. Por nuk është e drejtë të trajtohemi si një kriminel ordiner”, tha Stojku.