Përçahet “Guxo” e Vjosa Osmanit/ Disa duan të garojnë më vete në zgjedhje, të tjerë të mbështesin VV

Lista Guxo, e themeluar nga Vjosa Osmani pasi kjo e fundit u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nisi bashkëpunimin me Albin Kurtin para zgjedhjeve të 14 shkurtit është drejt shkrirjes.

Sipas mediave në Kosovë, zyrat qendrore të kësaj partie janë mbyllur dhe gjasat janë që anëtarët e kësaj liste të udhëzohen që në zgjedhjet vendore të 13 tetorit të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, ka nga ata që po kërkojnë ta mbajnë ende në këmbë partinë e themeluar nga Vjosa Osmani me të larguarit dhe të pakënaqurit e LDK-së së drejtuar nga Isa Mustafa para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë thanë se interes për të garuar në zgjedhjet për komunat më 13 tetor ka paraqitur edhe Lista Guxo në Komunën e Ferizajt.

Koordinatori i kësaj liste në Ferizaj, Baton Dërguti tha se në këtë qytet partia që përfaqëson do të dalë me kandidatët e saj, ndërsa të tjerë zyrtarë po të partisë së Osmanit kanë deklaruar në intervista televizive se Lista Guxo do të dalë me kandidatë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.

Këto lëvizje e kanë bindur ish-kryetarin e LDK-së Isa Mustafa që vendimin e marrë për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga partia para zgjedhjeve të 14 shkurtit ta cilësojë si të drejtë. “Shumë mirë kam bërë që e kam shkarkuar”, deklaroi Mustafa për mediat në Kosovë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT