Përfundon “muaji i mjaltit” për qeverinë Kurti/ Qytetarët të zhgënjyer, kishin shpresë dhe prisnin ndryshim

Idriz Stublla, qytetar nga Prishtina, thotë se ka pritur përmirësim të situatës socio-ekonomike nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Në 100 ditshin e punës së kësaj qeverie, ai shprehet i pakënaqur sa i përket përmbushjes së premtimeve në aspektin social. Por, përkrahë katër qëndrimet e Kurtit, për ecjen përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pensionet i ka zvogëluar, kurse ka premtuar që do t’i rrisë në 150 euro. Shtesat për fëmijë i ka premtuar, por nuk kanë filluar të zbatohen, as që flitet për këtë çështje. Dallimi nga qeveritë tjera është vetëm në procesin e bisedimeve me Serbinë, që ka vendosur disa kushte. Kjo është shumë e mirë”, tha Stublla për Radion Evropa e Lirë.

Ish-qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, kishte marrë vendim që të rrisë për tre muaj pensionet bazike (janar, shkurt, mars), në vlerë prej 30 eurosh në muaj. Pensionet bazike në Kosovë janë 90 euro në muaj dhe me këtë rritje, përfituesit e pensionit të pleqërisë kanë marrë nga 120 euro në muaj. Në muajin prill të këtij viti, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërprerë këtë shtesë. Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte thënë në muajin prill, që sipas vendimit të qeverisë së kaluar, “pas muajit mars e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”.

Edhe Besart Asllani, mbi të 30-tat, punëtor në sektorin privat, thotë se pritjet e qytetarëve për përmbushje të premtimeve nga Qeveria Kurti kanë qenë më të mëdha. Problemet e Kosovës janë grumbulluar me vite, thotë ai, dhe sipas tij është e vështirë të gjendet shpejt një zgjidhje, sidomos për papunësinë.

Shkalla e papunësisë, sipas të dhënave zyrtare, arrin në 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë.

“Nuk them se nuk ka bërë asgjë, por pritjet janë shumë të mëdha. Besoj se do ketë edhe rritje të punësimit, përmirësim të situatës ekonomike. Ndoshta terreni është jo i duhur për kryeministrin Kurti. Megjithatë, besoj në punë e tij, besoj se do të ketë përmirësime sepse ende është i panjollosur, dhe nuk kam dëshirë të dështojë sepse pasojat i paguajnë qytetarët”, tha ai.

Durime Bajrami, 22-vjeçare, nga qyteti i Podujevës, thotë se nuk mjaftojnë 100 ditë për të vlerësuar punën e kryeministrit Kurti. Ajo e përmend menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.

“Unë e vlerësoj për mirë. Ndoshta i duhet edhe pak kohë. Por, për fillim është shumë mirë”, tha ajo.

Njëqind ditshi numërohet si periudhë matëse e punës së një qeverie. Qeveria Kurti është formuar më 22 mars, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 50.28 ose 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

PDK: Spastrime të bordeve
Subjektet opozitare në Kuvendin e Kosovës po kritikojnë punën e Qeverisë Kurti gjatë kësaj periudhe. Sipas tyre, qeveria e udhëhequr nga Kurti, ka dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme.

Xhavit Haliti, deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se gjatë tremujorit të kaluar, ekzekutivi më shumë është marrë me “spastrime” të bordeve në agjenci të pavarura. Kurse, sa i përket gjendjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, si premtime kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fushatës elektorale, sipas tij, nuk vërehet asgjë në praktikë.

“Nuk mund të them se nuk ka lëvizje dhe përpjekje. Por, ajo që është e domosdoshme për Qeverinë e Kosovës, në rrethanat që është Kosova, sepse është në rrethana të veçanta, do duhej të bashkëpunonte me të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, për të krijuar politika shtetërore, në interes të shtetit dhe të aleancave strategjike dhe jo politika individuale”, tha Haliti për Radion Evropa e Lirë.

LDK: Dialog jopërmbajtësor
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ekzekutivin, për politikën e jashtme, për vaksinimin e qytetarëve kundër sëmundjes COVID-19 dhe për nepotizëm.

Shqipe Mjekiqi, koordinatore e departamentit për politikë e jashtme në LDK, tha se Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe i është qasur dialogut me shtetin e Serbisë, pa ndonjë platformë, duke e quajtur këtë proces si dialog jopërmbajtësor.

“Qeveria e Kosovës iu qas dialogut me Serbinë pa një platformë, për vizion, për afate kohore dhe rezultate kryesore që synohen të arrihen në marrëveshjen ndërkombëtare. Dëmtim i kredibilitetit ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për t’i ikur obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit, përmes interpretimit të kësaj marrëveshjeje, si juridikisht të pavlefshme. Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se është duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë dhe shumë çështje të tjera”, theksoi Mjekiqi.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, deri në momentin e publikimit të këtij raporti, nuk kanë paraqitur ndonjë qëndrim.

Por, gjatë një mbledhje të qeverisë, të mbajtur më 30 qershor, kryeministri Kurti numëroi të arriturat e 100 ditëve të qeverisjes së tij. Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë marrë 144 vendime dhe se prioritet i qeverisë se tij, fillimisht ka qenë menaxhimi i pandemisë. Kurti tha se janë përmbushur premtimet bazë për menaxhimin e pandemisë.

Kosova, tha ai, ka arritur të siguroi rreth dy milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, rreth 200 mijë deri më tani të administruara. Përveç situatës epidemiologjike, Kurti tregoi se gjatë qeverisjes se tij, ka përmirësim në aspektin ekonomik.

“Në këto 100 ditë, ekonomia jonë i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë dhe masave tona ndaj pandemisë. Për periudhën e njëjtë në krahasim me vitin e kaluar, eksportet janë rritur për 66 për qind, aktiviteti ekonomik për 15 për qind dhe të hyrat buxhetore për 30 për qind”, tha ai./REL

Back to top button
LAJMET E FUNDIT